Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision stabilizues në Gaza

Maqedonci tha se tashmë janë përgatitur personeli i FSK-së, masat e sigurisë dhe mbështetja financiare për misionin.

By
Kuvendi i Kosovës miraton dërgimin e FSK-së në mision stabilizues në Gaza / TRT Balkan

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Pro miratimit të këtij projektligji ishin 89 deputetë, ndërsa nuk pati kundër dhe as abstenime.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë paraqitjes së këtij projektligji tha se dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të Komandës së Unifikuar të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.

Maqedonci tha se Ministria e Mbrojtjes tashmë ka bërë përgatitjen e personelit të kontingjentit të FSK-së, masat e sigurisë, rregullat e angazhimit, çështjet e sigurimit shëndetësor dhe të jetës, pagesat për rrezikshmëri dhe mbështetjen financiare bazuar në ligjet e saj.

“Përmes këtij angazhimi Republika e Kosovës dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetjen e paqes, sigurisë, mbrojtjes së civilëve dhe zbatimit të mandateve ndërkombëtare”, tha Maqedonci.

Më 30 mars 2026, kur Qeveria e Kosovës e miratoi këtë projektligj, kryeministri Albin Kurti tha se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.