Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e dytë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Pas një takimi që zgjati mbi dy orë, në një deklaratë për media, Kurti tha se me përfaqësuesit e LDK-së diskutuan shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave në shumë fusha për progresin e shtetit.
Ai tha se me LDK-në ndanë "edhe shumë brenga që kemi, por njëkohësisht ka edhe vullnet dhe zell për të punuar bashkë në të ardhmen".
"Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishte marrëveshje, marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që kemi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike", theksoi Kurti.
Më tej, ai tha se nëse dështojnë negociatat midis partive për formimin e institucioneve të reja, do të mund të ketë përsëri zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare, gjë të cilën Kurti tha se nuk e dëshirojnë dhe do të përpiqet maksimalisht t'i vazhdojnë komunikimet dhe takimet midis partive.
Kurti tha se ndryshe nga LDK-ja, situata është jo e lehtë me dy partitë tjera Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët refuzuan të takohen më të për të diskutuar një marrëveshje eventuale për formimin e institucioneve të reja.
Abdixhiku: Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij pas takimit theksoi se takimi shkoi me vullnet të mirë, me respektim të rezultatit zgjedhor dhe me synim që të shmangen zgjedhjet e reja.
"Ishte një takim i mirë, i mbarë, në të cilën trajtuam programe të ndryshme programore, politike, të ardhme dhe strategjike për Republikën e Kosovës. Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore, më të detajuara", theksoi Abdixhiku.
Abdixhiku tha se e para që duhet për LDK-në është një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe e dyta të ketë balancë demokratike, ku LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar.
Në takim te Kurti, bashkë me Abdixhikun ishte edhe Vjosa Osmani e cila në zgjedhjet e fundit ishte numër një në listë të LDK-së, gjithashtu edhe nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri. Ndërsa Kurtin e ka shoqëruar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
LVV-së i duhet ndihma edhe e deputetëve të opozitës për votimin e presidentit të ri
Në takimin e parë të mbajtur më 10 korrik 2026, Kurti dhe Abdixhiku u shprehën optimistë për vazhdimin e bisedimeve, megjithatë, negociatat u pezulluan për shkak të Kuvendit të LDK-së së 30 korrikut ku Abdixhiku u rikonfirmua si kryetar partie.
LDK-ja është partia e vetme që i është përgjigjur ftesës së LVV-së për të dialoguar lidhur me një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve të reja.
LVV-ja mund ta formojë edhe e vetme qeverinë e re, mirëpo asaj i duhet ndihma edhe e deputetëve të opozitës për votimin e presidentit të ri, pozitë për të cilën Kosova shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor të këtij viti.























