| Albanian
BOTA
4 minuta leximi
Emine Erdoğan merr pjesë në eventin “Një Zemër për Palestinën” të organizuar në solidaritet me Gazën
Zonja e Parë e Türkiyes, Emine Erdoğan, mori pjesë në një event bamirës për Gazën në Ankara, ku u zhvillua një shfaqje flamenko, në të cilën kultura spanjolle u ndërthur me solidaritetin ndaj popullit palestinez.
Emine Erdoğan merr pjesë në eventin “Një Zemër për Palestinën” të organizuar në solidaritet me Gazën
Emine Erdoğan merr pjesë në eventin “Një Zemër për Palestinën” të organizuar në solidaritet me Gazën / AA
10 Tetor 2025

Eventi bamirës “Një Zemër për një Palestinë të Lirë si Era”, i të cilit i gjithë të ardhurat do t’i dhurohen popullit të Gazës, u zhvillua me pjesëmarrjen e bashkëshortes së Presidentit të Türkiyes, Emine Erdoğan.

Ambasada e Spanjës në Ankara dhe Konsullata e Nderit e Muğlas organizuan një event në Sallën Historike të CSO-së, ku u mbajt edhe një shfaqje flamenko.

Në aktivitet morën pjesë Zonja e parë dhe bashkëshortja e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Emine Erdoğan, Zëvendëspresidenti Cevdet Yılmaz, Ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy me bashkëshorten Pervin Ersoy, Ministrja e Familjes dhe e Shërbimeve Sociale Mahinur Özdemir Göktaş, Ambasadorja e Spanjës në Ankara Cristina Latorre Sancho, Ambasadori i Palestinës në Ankara Faed Mustafa, Konsulli i Nderit i Spanjës në Muğla Federico Caruncho, Presidentja e Gjysmëhënës së Kuqe Turke Fatma Meriç Yılmaz, Presidentja e Fondacionit Cristina Heeren, disa deputetë, ambasadorë, burokratë, si dhe shumë gazetarë e artdashës.

Emine Erdoğan dhe pjesëmarrësit vizituan ekspozitën e veshjeve të flamenkos në hollin e sallës përpara shfaqjes.

Kuratori dhe artisti i arteve pamore Chema Rodriguez u dha informacion mbi veshjet e ekspozuara.

Falënderim nga ambasadorja spanjolle

Ambasadorja e Spanjës në Ankara, Cristina Latorre Sancho, në fjalën e saj falënderoi Emine Erdoğan për përkushtimin ndaj kauzave të drejta, angazhimin në fushën sociale dhe përpjekjet për ta përmirësuar jetën e shtresave më të cenueshme të shoqërisë.

Sancho theksoi se puna e bashkëshorteve të krerëve të shteteve shpesh nuk njihet sa duhet, dhe me këtë event dëshironin të nënvizonin rëndësinë e këtyre përpjekjeve dhe t’i shprehnin mirënjohje Emine Erdoğanit.

Ajo shtoi: “Kultura dhe arti janë përgjigjja më fisnike e njerëzimit ndaj barbarisë, vdekjes, gjenocidit dhe shkatërrimit. Ju falënderoj nga zemra që jeni këtu sonte me ne”.

Pas fjalimit, Fondacioni “Cristina Heeren” prezantoi një shfaqje flamenko ku 13 këngëtarë dhe valltarë përcollën dramën njerëzore në Gaza përmes gjuhës universale të artit.

Në fund të shfaqjes, Emine Erdoğan i dhuroi lule presidentes së Fondacionit Cristina Heeren dhe valltarëve. Programi përfundoi me një fotografi familjare.

“Eleganca dhe emocioni i flamenkos prekën zemrën e plagosur të Gazës”

Në një postim në rrjetet sociale pas eventit, ajo shkroi se ishte e lumtur për pjesëmarrjen në eventin bamirës “Një Zemër për një Palestinë të Lirë si Era”.

“Në këtë event domethënës u bashkuam për vëllezërit tanë palestinezë. Eleganca dhe emocioni i flamenkos prekën zemrën e plagosur të Gazës. Përballë gjenocidit që vazhdon në Palestinë, u bashkuam përmes fuqisë bashkuese të artit dhe iu drejtuam ndërgjegjes së njerëzimit”, deklaroi Zonja e Parë turke. 

Erdoğan bëri të ditur se pas Ankarasë, shfaqja do të mbahet edhe në lstanbul, dhe të gjitha të ardhurat do t’i dërgohen popullit palestinez përmes Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Ajo u shpreh se beson që ky shembull solidariteti, ndarjeje dhe mëshire do të sjellë një agim të ri nga errësira. 

Zonja e Parë e përfundoi shkrimin duke falënderuar organizatorët dhe Fondacionin e Artit Flamenko ‘Cristina Heeren’ dhe artistët.

“Çështja palestineze na prek të gjithëve thellë”

Presidentja e Fondacionit Cristina Heeren, në një deklaratë për mediat përpara eventit, tha se vitin e ardhshëm fondacioni do të shënojë 30-vjetorin e tij dhe se në kuadër të tij funksionon një shkollë arti flamenko.

Duke folur për nismën “Një Zemër për Palestinën” të nisur me iniciativën e Emine Erdoğanit, Heeren tha: “Mendoj se është një ide e mrekullueshme. Çështja palestineze është një plagë e madhe që na prek të gjithëve. Shpresoj që kjo tragjedi të marrë fund sa më shpejt.”

Për eventin “Një Zemër për një Palestinë të Lirë si Era”, ajo shtoi: “Është një ide shumë e bukur. Do të doja të kishte më shumë nisma të tilla. Çdo ndihmë ka rëndësinë e vet. Uroj që kjo të vazhdojë.”

Duke folur për marrëdhëniet mes Türkiyes dhe Spanjës, Heeren i vlerësoi ato në nivel të shkëlqyer. “Edhe muzika jonë ka shumë ngjashmëri. Türkiye është djepi i qytetërimit njerëzor dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, shtoi kryetarja e fondacionit.

E njëjta shfaqje do të mbahet sot edhe në Sallën e Teatrit AKM në Istanbul.

Të ardhurat nga të dyja eventet do t’i dhurohen popullit të Gazës përmes Gjysmëhënës së Kuqe Turke, për të theksuar tragjedinë dhe për ta forcuar solidaritetin.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë