| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rreth 1.300 pushtues izraelitë hyjnë me forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa
Policia izraelite vendos kufizime të rrepta ndaj besimtarëve palestinezë, ndërsa pushtuesit shënojnë të ashtuquajturin përvjetor të "shkatërrimit të Tempullit", njofton Guvernatorati i Kudsit.
Rreth 1.300 pushtues izraelitë hyjnë me forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa
Rreth 1.300 pushtues izraelitë hyjnë me forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa/ AA

Rreth 1.300 pushtues izraelitë hynë me forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar sot në mëngjes ndërsa shënonin festën hebraike Tisha B'Av, që përkujton atë që ata e quajnë "shkatërrimi i Tempullit", sipas guvernatoratit të Kudsit.

Guvernatorati bëri të ditur në Facebook se policia izraelite lejoi që numri i pushtuesve që hynin në kompleks në secilin grup të rritej në rreth 150 persona. Sipas njoftimit, forcat izraelite vendosën kufizime të rrepta në hyrjet e xhamisë dhe rreth Qytetit të Vjetër të Kudsit, u dislokuan në numër të madh në oborret e kompleksit dhe penguan besimtarët palestinezë të hynin.

Vetëm një numër shumë i kufizuar palestinezësh arritën të hynin në xhami për faljen e namazit të sabahut, përpara se forcat izraelite të sulmonin disa besimtarë dhe banorë të tjerë, thuhet në deklaratë.

Guvernatorati njoftoi se pushtuesit "kryen rituale talmudike gjatë hyrjeve në kompleks, përfshirë vendosjen e tefilinit, përulje të plota në pjesën lindore të kompleksit dhe brohoritje me zë të lartë".

Thuhet se "grupe ekstremiste që mbështesin ndërtimin e një tempulli hebre në këtë vend po mobilizonin mbështetësit e tyre me synimin për të futur 5.000 pushtues në kompleks" gjatë hyrjeve të së enjtes.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për muslimanët në botë. Hebrenjtë kësaj zone i referohen si "Mali i Tempullit", duke pretenduar se aty kanë ekzistuar dy tempuj hebrenj në lashtësi.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet xhamia Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Në vitin 1980 Izraeli aneksoi të gjithë qytetin në një veprim që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.