Mbyllen aeroportet evropiane për shkak të ngricave, fluturimet pësojnë ndërprerje të mëdha
Fluturime të anuluara dhe të vonuara pasi kushtet e akullta detyruan mbyllje të përkohshme në qytete si Vjena, Budapesti dhe Bratisllava, ndërsa paralajmërimet për motin e keq mbeten në fuqi edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Aeroportet në disa qytete evropiane janë detyruar të mbyllen dhe fluturimet janë ndërprerë për shkak të kushteve të rrezikshme të krijuara nga akulli i krijuar në pistat e uljes dhe ngritjes.
Aeroportet në Budapest (Hungari), Bratisllavë (Sllovaki) dhe Vjenë (Austri) u mbyllën përkohësisht të martën në mëngjes për shkak të akullit, sipas raportimeve të mediave lokale.
Në Vjenë, një shtresë e trashë akulli u formua në pista dhe, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për pastrim, ajo vazhdonte të ngrinte sërish, bëri të ditur një zëdhënës i aeroportit. Si pasojë, fluturimet po devijoheshin drejt aeroporteve të tjera.
Shiu i ngrirë shkaktoi ndërprerje të mëdha edhe më në lindje. Aeroporti i Pragës njoftoi në platformën X se po operonte në një “regjim shumë të kufizuar”.
Edhe Aeroporti i Bratislavës u detyrua të mbyllej përkohësisht për shkak të kushteve të akullta, megjithëse fluturimet pritej të rifillonin më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, Aeroporti i Budapestit bëri të ditur se kishte ndaluar fluturimet për arsye sigurie të lidhura me motin. Autoritetet paralajmëruan se vonesat do të vazhdonin gjatë gjithë ditës, ndërsa mbërritjet do të kufizoheshin derisa stafi të kryente procesin e shkrirjes së akullit në pistën kryesore.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kushtet dimërore kanë sjellë gjithashtu paralajmërime për motin.
Shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për akull që përfshin pjesën më të madhe të Skocisë perëndimore dhe veriore, nga e marta deri të mërkurën.
Një sërë alarmesh dhe paralajmërimesh për përmbytje mbeten ende në fuqi pas stuhisë Goretti.
Një paralajmërim tjetër i verdhë për reshje shiu është lëshuar për jugperëndimin e Anglisë për ditën e enjte, duke rritur rrezikun e përmbytjeve të mëtejshme në rajon.
Met Office bëri të ditur se rreziku nga shiu i ngrirë, i cili mund të krijojë kushte të rënda akulli, pritet të ulet me kalimin e ditëve, ndërsa reshjet e borës ka gjasa të bëhen më të shpeshta.
Shiu i ngrirë është një formë e rrallë e reshjeve të lëngshme që ngrijnë pothuajse menjëherë sapo bien në kontakt me sipërfaqe të ftohta, duke krijuar kushte shumë të rrezikshme për transportin dhe infrastrukturën.