Italia ka rifilluar pjesëmarrjen e saj në Misionin e Ndihmës Kufitare të Bashkimit Evropian (EUBAM) në pikën kufitare të Rafahut, mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës, njoftoi të premten ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Sipas agjencisë ANSA, vendimi u mor pas konsultimeve me Kryeministren, Giorgia Meloni dhe ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani, pas një vlerësimi të sigurisë nga Komanda e Operacioneve të Përbashkëta.
“Kalimi i Rafahut, më 14 tetor 2025, në përputhje me marrëveshjen e Trumpit dhe në koordinim me Bashkimin Evropian dhe palët përkatëse, do të hapet në mënyrë alternative në dy drejtime: dalje drejt Egjiptit dhe hyrje drejt Gazës”, tha Crosetto në një deklaratë.
Ai autorizoi shefin e Shtabit të Mbrojtjes, gjeneralin Luciano Portolano, të urdhërojë rifillimin e misionit “me të njëjtat procedura si më 25 janar”, në koordinim me Ministrinë e Jashtme.
Misioni EUBAM Rafah synon të sigurojë një prani të palës së tretë në kufirin midis Gazës dhe Egjiptit dhe të mbështesë autoritetet palestineze në menaxhimin e kufirit.
“Izraelitët po punojnë për të rivënë sa më shpejt në funksion infrastrukturën logjistike të kalimit. Rreth 600 kamionë me ndihma humanitare do të hyjnë çdo ditë në Gaza nga pika të tjera kufitare (jo nga Rafahu). Kalimi i personelit nuk do të kufizohet vetëm për rastet e rënda mjekësore, por do të zgjerohet për këdo që dëshiron të hyjë”, shtoi ai.
Ndërkohë, ministri i jashtëm Tajani theksoi gatishmërinë e Italisë për të kontribuar më tej në përpjekjet për paqe në rajon:
“Ne mund të dërgojmë karabinierët, mund të dërgojmë trupa. Karabinierët tanë janë tashmë në Palestinë dhe e njohin territorin. Nëse vjen një kërkesë e tillë, jemi gati të bëjmë pjesën tonë për të ndërtuar paqen dhe shtetin palestinez të së ardhmes. Ne jemi gati dhe kemi qenë në vijën e parë prej kohësh me ndihma humanitare”, tha Tajani në një konferencë për shtyp në Romë.
Plani 20-pikësh i armëpushimit i shpallur më 29 shtator nga Presidenti amerikan Donald Trump përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza.
Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie me palestinezë dhe trupa nga vendet arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit.
Po ashtu, parashikon financim arab dhe islam për administratën e re dhe rindërtimin e enklavës, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.