| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kryeministri Rama bën thirrje për dialog me protestuesit
"Natyrisht që po studiojmë edhe eksperienca të tjera, është koha për t'i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16-vjeç", tha Rama.
Kryeministri Rama bën thirrje për dialog me protestuesit
Kryeministri Rama bën thirrje për dialog me protestuesit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur thirjet për dialog me protestuesit, ndërkaq ka deklaruar se po shqyrtojnë mundësitë për uljen e moshës së përgjegjësisë penale dhe për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç.

Në një takimin me drejtues të shkollave të mesme të Tiranës në mes të protestave që vazhdojnë në vend, së bashku me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, Rama u shpreh se po studiojnë dhe do ta shohin sipas tij nëse do të duhet edhe të ulin moshën për dënimin penal.

Kryeministri Rama ka theksuar se ushtrimi i së drejtës për të protestuar është një liri kushtetuese e pamohueshme për askënd, duke shtuar se këtu nuk flasin për ushtrimin e të drejtës kushtetuese për të protestuar, por sipas tij "këtu flasim për ushtrimin e dhunës".

"Natyrisht që po studiojmë edhe eksperienca të tjera, është koha për t'i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç dhe nga ana tjetër si do të adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës së njeriut, të dinjitetit të njeriut, të cilët përmes rrjeteve sociale kërcënojnë, terrorizojnë, ofendojnë, i marrin erzin, i marrin qetësinë familjeve", tha Rama.

Rama ka përsëritur edhe thirrjet për dialog me protestuesit, duke theksuar se: "Askush tjetër nuk mund të përdorë forcën në demokraci për asnjë arsye, në kushtet kur janë të hapura rrugët e dialogut dhe unë e kam thënë gjithnjë dhe e përsëris; në çdo rast dhe për çfarëdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë, ne jemi aty, jemi gati".

"Unë nuk jam i idesë që për të miturit përgjigjja e vetme është ajo që po bën sot Evropa, vendet e BE-së që janë nën këtë goditje, ulja dhe ndryshimi i natyrës së qasjes ndaj përgjegjësisë penale dhe ulja e moshës. Është një opsion që ne do ta studiojmë. Po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë, po e bëjnë një sërë vendesh", tha Rama.

Në Shqipëri në ditët e fundit janë mbajtur protesta të thirrura nga studentët dhe mbështetura nxënës të shkollave të mesme dhe nga qytetarët, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, akteve të dhunës dhe dëmtim të pronës publike dhe institucioneve.

Protestuesit kanë pretenduar se shqetësimet e ngritura lidhen me nevojat e studentëve, të cilat sipas tyre nuk janë adresuar në vitet e fundit, ndërkohë kërkesat e tyre janë zgjeruar dhe në çështje të tjera. 

Disa nga problematikat me të cilat studentët kanë pretenduar se përballen lidhen me kushtet në arsim, investimet e pamjaftueshme, kostot e larta të qirave dhe mungesën e konvikteve.

Studentët kanë paralajmëruar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë