Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të administrohet nga Teherani, raportuan të martën mediat shtetërore, pas bisedimeve që synojnë t'i japin fund luftës mes ShBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të hënën të krijojnë kanale komunikimi për ta mbajtur të hapur këtë rrugë jetike detare të transportit dhe për t'i dhënë fund luftimeve në Liban, thanë ndërmjetësit, pas raundit të parë të bisedimeve të zhvilluara në Zvicër për t'i dhënë fund konfliktit që ka përfshirë Lindjen e Mesme.
"Ngushtica e Hormuzit nuk do t'i kthehet kurrë kushteve të para luftës dhe do të administrohet nga Republika Islamike e Iranit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", tha Ghalibaf pas kthimit nga bisedimet, sipas agjencisë shtetërore IRNA.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në Telegram, Ghalibaf tha se bisedimet e zhvilluara në resortin luksoz zviceran Bürgenstock sollën "arritje të mira".
"Sipas mendimit tim, ky udhëtim pati rezultate të mira, veçanërisht sa i përket çështjes së Ngushticës, diskutimeve për Libanin, çështjes së përjashtimit nga sanksionet për naftën dhe lirimit të fondeve të ngrira", tha ai.
ShBA-ja pezulloi të hënën sanksionet ndaj naftës iraniane, pasi zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi se Teherani do të lejojë rikthimin e inspektorëve bërthamorë të OKB-së në vend, pas bisedimeve.
Si pjesë e marrëveshjes, Teherani pritet të përfitojë një formë lehtësimi të sanksioneve nga Uashingtoni, si dhe zhbllokimin e një pjese të aseteve të ngrira.
"Natyrisht, ne besojmë se jemi ende në fillim të këtij procesi dhe duhet të vazhdojmë përpjekjet tona", shtoi Ghalibaf në një videomesazh.

















