Ekspertët debatojnë rreziqet dhe mundësitë e IA-së në Samitin e STRATCOM-it në Istanbul

"IA-ja po ndryshon gjithçka. Është e qartë dhe po ndodh shumë shpejt," tha Serdar Karagöz, president dhe CEO i Anadolu Agency. "Ajo ndryshon mënyrën se si ne krijojmë, si ndajmë dhe si e kuptojmë informacionin".

By
Ekspertët debatojnë rreziqet dhe mundësitë e IA-së në Samitin e STRATCOM-it në Istanbul / AA

Inteligjenca Artificiale po transformon me shpejtësi mënyrën se si prodhohet, shpërndahet dhe besohet informacioni, thanë folësit në Samitin Ndërkombëtar të Komunikimit Strategjik (STRATCOM) 2026 në Istanbul.

Gjatë samitit, paneli i së shtunës "E ardhmja e IA-së në Komunikimin Strategjik: Sfidat dhe Mundësitë" u moderua nga Serdar Karagöz, president dhe CEO i Anadolu Agency, dhe bëri bashkë zyrtarë dhe ekspertë nga qeveria, media dhe bota akademike.

Karagöz e hapi panelin duke paralajmëruar se ritmi i ndryshimit i nxitur nga IA-ja është i paprecedentë dhe do të riformësojë mjedisin global të informacionit.

"IA-ja po ndryshon gjithçka. Është e qartë dhe po ndodh shumë shpejt," tha ai. "Ajo ndryshon mënyrën se si ne krijojmë, si ndajmë dhe si e kuptojmë informacionin."

Duke cituar parashikimet globale, Karagöz tha se disa raporte të Forumit Ekonomik Botëror vlerësojnë se inteligjenca artificiale mund t'i shtojë deri në 15 trilionë dollarë ekonomisë globale deri në vitin 2030.

"Ky është një ndryshim i madh dhe shumë i shpejtë," tha ai. "Disa njerëz mund të humbasin vendet e tyre të punës, dhe disa do të gjejnë të reja. Së shpejti, shumë gjëra online do të jenë (të krijuara) nga IA-ja," tha Karagöz. "Kjo do të ndryshojë besimin dhe mënyrën se si përhapet informacioni për institucionet, mediat dhe agjencitë e lajmeve."

Ndërsa IA-ja mund t'i ndihmojë njerëzit të marrin vendime më të mira dhe të komunikojnë në mënyrë më efektive, ai tha se teknologjia gjithashtu paraqet rreziqe. "A mund t'i besojmë asaj? Kush e kontrollon IA-në? Dhe çfarë ndodh me sigurinë e të dhënave?" pyeti ai.

Modele të ndryshme globale

Kryetari i komisionit parlamentar të Türkiyes për inteligjencën artificiale, Fatih Dönmez tha se bota aktualisht ndjek tre modele të ndryshme në qeverisjen e IA-së.

Një qasje është modeli i ShBA-së, i cili në përgjithësi lejon që inovacioni të ecë përpara i pari, ndërsa rregullimi vjen më vonë, tha ai. BE-ja, tha ai, ndjek një rrugë tjetër duke i dhënë përparësi rregullimit që herët, edhe pse kjo qasje shpesh përballet me kritika.

"BE-ja ka një model të bazuar në rregullore dhe përpiqet të vendosë rregulla paraprakisht, siç bën në shumë fusha," tha Dönmez.

Një model i tretë, shtoi ai, përfaqësohet nga Kina, ku inteligjenca artificiale operon nën mbikëqyrje të fortë shtetërore. "Kina thotë se nëse përdoren të dhënat e saj dhe njerëzit e saj përdorin teknologjinë, shteti duhet të mbikëqyrë gjithçka, nga algoritmet deri te mënyra se si përpunohen të dhënat," tha ai.

Türkiye, tha ai, synon të zhvillojë modelin e saj duke nxjerrë mësime nga të treja këto modele. "Ne besojmë se mund të zhvillojmë një qasje specifike për Türkiyen duke marrë elementë që na përshtaten nga këto modele," tha Dönmezi. "Ne mendojmë se rregullimi është i nevojshëm, por ai nuk duhet të mbytë inovacionin. Ne kërkojmë rregullim së bashku me inovacionin."

Një sistem që lufton për t'u përshtatur

Drejtoresha ekzekutive e "Kompass Education" Clara Hawking me seli në Barcelonë, argumentoi se sfidat e krijuara nga IA-ja nuk përfaqësojnë një kolaps të institucioneve globale, por përkundrazi një dështim për t'u përshtatur me teknologjitë që ndryshojnë me shpejtësi.

Ajo argumentoi se shumë sisteme ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore u projektuan për një botë shtetesh, kufijsh dhe ndryshimesh teknologjike më të ngadalta, ndërsa IA-ja operon përtej kufijve dhe me shpejtësi të paprecedentë.

“Ajo që po dëshmojmë nuk është një shpërbërje e sistemit ndërkombëtar,” tha Hawking. “Është një transformim i pamenaxhuar.” Ajo tha se qeveritë dhe institucionet duhet të fokusohen në modernizimin e strukturave ekzistuese dhe ridefinimin e të drejtave në epokën e IA-së për të mbrojtur autonominë dhe dinjitetin njerëzor.

Shqetësimet rreth ndikimit korporativ

Redaktor i "Hungary Today", Daniel Deme tha se mjetet e IA-së mund të jenë të dobishme për gazetarinë, duke përfshirë përkthimin dhe gjetjen e fakteve. Megjithatë, ai paralajmëroi se sistemet e inteligjencës artificiale janë ndërtuar mbi algoritme të kontrolluara nga kompani me interesat e tyre.

“Shikoni se çfarë është inteligjenca artificiale,” bëri thirrje ai. Lajmet përbëhen nga algoritme të kontrolluara nga kompani që mund të varen nga revistat dhe mediat kryesore (mainstream) nga të cilat njerëzit po përpiqen të largohen, shpjegoi ai.

“Ajo ka aksionarë. Ka investitorë. Vetë algoritmi, mënyra se si i kombinon mediat, po kalibrohet gjithashtu për t'iu përshtatur nevojave të interesave të caktuara,” tha ai.

I pyetur nga Karagöz nëse IA-ja mund të marrë përsipër vendimet editoriale të bazuara në vlera në media, Deme tha se nuk duhet ta bëjë këtë.

"Së dyti, ju nuk mund t'ia delegoni disa gjykime vlerash IA-së. I përgjigjet dinjitetit bazë njerëzor që të dalësh dhe të gjesh të vërtetën, të gjesh faktet për veten tënde," tha Deme.

"Pra, mbajeni IA-në nën fre si një qen udhëheqës, duke e përdorur kur është e dobishme, por mos lejoni që teknologjia të jetë ajo që bën punën që ju duhet të bëni për të gjetur të vërtetën, për të gjetur faktet dhe për të shpëtuar komunitetin tuaj," tha ai.

IA-ja: ‘Gjenerata e re e sovranitetit’

Ümit Önal, shefi turk i sigurisë kibernetike, tha se përparimet në inteligjencën artificiale e kanë bërë sovranitetin e të dhënave një komponent qendror të fuqisë kombëtare.

"Vitet e fundit, zhvillimet në teknologjitë e IA-së e kanë bërë sovranitetin e të dhënave një nga elementët më të rëndësishëm të sovranitetit kombëtar," tha ai. Burimi përcaktues i fuqisë në epokën e re nuk është më vetëm forca ekonomike apo ushtarake, tha ai.

"Sot, fuqia përcaktohet gjithnjë e më shumë nga kush mbledh të dhëna, kush i përpunon ato dhe kush i interpreton ato," tha Önali. "Këtu hyn në lojë saktësisht inteligjenca artificiale."

Ai e përshkroi inteligjencën artificiale si një "gjeneratë të re të sovranitetit". Türkiyea synon të jetë një aktor kryesor në këtë peizazh digjital në rritje përmes vizionit të saj "Türkiyea Digjitale", shtoi ai. "IA-ja mund të forcojë shtetet," tha Önali, "por duhet të kujtojmë gjithashtu se nëse përdoret gabimisht, ajo mund të dobësojë shoqëritë."

IA-ja në një botë “teknopolare”

Ömer Ileri, zëvendëskryetar për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Türkiyes, tha se debatet rreth inteligjencës artificiale rrjedhin nga natyra e saj teknologjike, konkurrenca gjeopolitike dhe ndërgjegjësimi në rritje për ndikimin e saj shoqëror.

Ai tha se bota po hyn në një epokë "teknopolare" në të cilën IA-ja nuk po përmirëson vetëm produktivitetin, por po bëhet gjithashtu një arenë kryesore rivaliteti midis vendeve. Ileri vuri në dukje se përvojat e kaluara, nga Revolucioni Industrial deri te rritja e mediave sociale, kanë treguar se përparimet teknologjike nuk përfitojnë gjithmonë shoqërinë në mënyrë të barabartë.

"Ne duhet të jemi ata që drejtojmë teknologjinë," tha ai. "Teknologjia nuk duhet të na drejtojë ne."