Türkiye, marrëveshje me Bankën Botërore për financimin e projektit të kalimit hekurudhor në Istanbul
Projekti INRAIL përfshin ndërtimin e një linje hekurudhore të elektrifikuar 127 kilometra me kapacitet të lartë që kalon përmes Bosforit nëpërmjet urës "Yavuz Sultan Selim".
Türkiye ka nënshkruar marrëveshje financimi prej 1,67 miliard eurosh me Bankën Botërore për projektin “Kalimi Hekurudhor i Istanbulit Verior” (INRAIL), me qëllim forcimin e rrugëve tregtare ndërkontinentale.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri turk i Thesarit dhe i Financave, Mehmet Simsek, dhe drejtuesja e operacioneve në Bankën Botërore, Anna Bjerde, gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington.
Simsek tha se marrëveshja është projekti i tretë më i madh i miratuar ndonjëherë nga Banka Botërore, duke shtuar se projekti në tërësi mbështetet nga 8,1 miliardë dollarë financim, rreth 83 për qind e të cilit vjen nga institucione ndërkombëtare.
“Kjo marrëveshje ofron financim, forcon standardet dhe dërgon një sinjal të qartë besimi për tregjet globale”, tha ai. Projekti INRAIL përfshin ndërtimin e një linje hekurudhore të elektrifikuar 127 kilometra me kapacitet të lartë që kalon përmes Bosforit nëpërmjet urës "Yavuz Sultan Selim", duke anashkaluar zonën metropolitane të Istanbulit.
Ai pritet ta rrisë ndjeshëm kapacitetin e transportit të mallrave dhe pasagjerëve, t'i ulë kostot logjistike, të lidhë aeroportet e Istanbulit me njëri-tjetrin dhe me rrjetin kombëtar hekurudhor, si dhe t'i përmirësojë korridoret kryesore të transportit kombëtar dhe ndërkontinental.
Sapo të vihet në funksion, pritet që kapaciteti vjetor i mallrave hekurudhore përmes ngushticës të rritet nga 3 milionë në 50 milionë tonë. Simsek tha se projekti INRAIL do të eliminojë një nga pikat më kritike të ngarkesës përgjatë Korridorit të Mesëm, e cila është rruga më e shpejtë tregtare që lidh Pekinin me Londrën, me një kohë tranziti prej vetëm 18 ditësh.
“INRAIL është më shumë se një lidhje e zakonshme hekurudhore”, tha ai duke shtuar se projekti do të krijojë vende pune me të ardhura më të larta për mbi 400 mijë punëtorë.
Bjerde, nga ana e saj, tha se marrëveshja do të forcojë lidhjen e Türkiye me Evropën, Azinë dhe Lindjen e Mesme, duke rritur tregtinë rajonale dhe globale. Ajo shtoi se ndikimi ekonomik i projektit do të shtrihet në sektorët e prodhimit, bujqësisë dhe shërbimeve.
Zhvillimi i infrastrukturës së transportit në Türkiye ka tërhequr 355 miliardë dollarë investime gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë 180 miliardë dollarë në projekte rrugore, si dhe zgjerimin e rrjetit të aeroporteve.
Hekurudhat janë fokusi i radhës për zgjerim, me Bankën Botërore që luan rol kyç në këto përpjekje.