Liderët evropianë shprehën mbështetje për një Siri të qëndrueshme

Është shprehur shqetësim për valën e dhunës që prej marsit është përhapur në vend, duke paralajmëruar se “nuk ka paqe dhe stabilitet” pa dialog kombëtar, pajtim dhe drejtësi tranzicionale.

By
Liderët evropianë shprehën mbështetje për një Siri të qëndrueshme / AA

Shumë liderë evropianë të hënën shprehën mbështetje për stabilitetin dhe rindërtimin e Sirisë, ndërsa vendi shënoi përvjetorin e parë të rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.

“BE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë aspiratat e sirianëve për një vend të qëndrueshëm, të begatë dhe demokratik. Ne presim të bashkëpunojmë në frymën e partneritetit për t’iu përgjigjur sfidave të përbashkëta me të cilat përballen Siria, rajoni dhe Evropa”, thuhet në deklaratën e përbashkët të përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Kaja Kallas, komisioneres për Mesdheun Dubravka Šuica dhe Hadja Lahbib, komisionere për gatishmëri, menaxhim krizash dhe barazi.

Në njoftim është shprehur shqetësim për valën e dhunës që prej marsit është përhapur në vend, duke paralajmëruar se “nuk ka paqe dhe stabilitet” pa dialog kombëtar, pajtim dhe drejtësi tranzicionale.

“BE-ja gjithashtu dënon të gjitha veprimet ushtarake nga cilado palë dhe përpjekjet për destabilizimin e Sirisë dhe rrezikimin e mundësive për tranzicion paqësor. Ne përsërisim thirrjen për respektimin e sovranitetit, unitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Sirisë dhe shmangien e çdo veprimi që do të cenonte respektimin e Rezolutës 497 (1981) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, theksohet në deklaratë.

Deklarata përshëndeti gjithashtu angazhimet e autoriteteve tranzicionale ndaj “tranzicionit paqësor dhe gjithëpërfshirës” dhe progresin e arritur që nga dhjetori 2024.

“Një vit më parë, populli sirian mbylli një kapitull padrejtësie. Unë shkova në Damask për të ngritur flamurin spanjoll në Ambasadën e Spanjës në Siri. Sepse Spanja e mbështet Sirinë në rrugën e saj drejt stabilitetit, drejtësisë dhe sigurisë, me të drejta të barabarta për të gjithë sirianët, burra dhe gra”, shkroi ministri i jashtëm spanjoll José Manuel Albares në platformën X me qendër në SHBA.

Ministri i jashtëm norvegjez Espen Barth Eide rikonfirmoi “përkushtimin dhe kontributin” e Norvegjisë për një tranzicion paqësor dhe gjithëpërfshirës dhe për rindërtimin e Sirisë.

“Të dyja vendet tona, Kosova dhe Siria, njohin kapitujt më të errët të shtypjes, padrejtësisë dhe vuajtjes së paimagjinueshme. Por, ne dimë edhe çfarë do të thotë të ngrihesh përsëri, ta kthesh dhimbjen në forcë dhe qëllim. Ne kemi besuar gjithmonë se asnjë fuqi nuk mund t’i shuajë aspiratat e popullit për liri”, deklaroi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një videomesazh të publikuar në X.

Ajo theksoi përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Sirinë në vitet që vijnë, duke forcuar “miqësinë dhe bashkëpunimin” mes dy vendeve.

“Ne do të jemi partneri juaj, miku juaj dhe aleati juaj në çdo hap. Nga Prishtina në Damask, zemrat tona rrahin së bashku për liri, dinjitet dhe miqësi të qëndrueshme midis popujve tanë”, shtoi ajo.

Asadi, president i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath që ishte në pushtet që nga viti 1963. Administrata tranzicionale e presidentit Ahmad al-Sharaa u formua në janar.