| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës
Shefja e Grupit Parlamentar e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kërkesa është nënshkruar nga një grup prej 30 deputetësh dhe ka të bëjë me dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars, të nxjerrë nga Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës
Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës / TRT Balkan
10 orë më parë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. 

Shefja e Grupit Parlamentar e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se kërkesa është nënshkruar nga një grup prej 30 deputetësh dhe ka të bëjë me dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars, të nxjerrë nga Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ajo ka bërë të ditur se deputetët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe vendosjen e një mase të përkohshme për pezullimin e dekretit deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

Nagavci ka theksuar se, sipas tyre, presidentja Osmani nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ apo për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit.

“Roli i presidentit në këtë proces është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta. Çdo veprim jashtë këtyre kufijve përbën tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe cenim serioz të parimit themelor të ndarjes së pushteteve, të sanksionuar në nenin 4, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Nagavci.

Nagavci ka bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta trajtojë çështjen me prioritet dhe të marrë një vendim sa më shpejt për ta shmangur, sipas saj, cenimin e mëtejmë të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve.

Partia në pushtet argumenton se dekreti nuk ka bazë kushtetuese, duke iu referuar neneve të tjera të Kushtetutës dhe duke theksuar se procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars me afat 60-ditor për përmbylljen e procesit, ndërsa në anën tjetër Osmani këmbëngul se ky afat duhej të ishte shfrytëzuar para 5 marsit dhe për këtë arsye ka thirrur menjëherë një takim me partitë politike për ta diskutuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë