| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Beqiroviq shpall fitoren: BeH nuk ka heq dorë nga rruga drejt BE-së dhe NATO-s
Rruga jonë drejt BE-së dhe anëtarësimit në NATO duhet të vazhdojë me vendosmëri, tha anëtari i porsazgjedhur i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit boshnjak.
Beqiroviq shpall fitoren: BeH nuk ka heq dorë nga rruga drejt BE-së dhe NATO-s
Beqiroviq shpall fitoren: BeH nuk ka heq dorë nga rruga drejt BE-së dhe NATO-s./ AA

Kandidati i opozitës së bashkuar për anëtar të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit boshnjak, Denis Beqiroviq, shpalli fitoren zgjedhore. Ai theksoi se "Bosnjë e Hercegovina e lirë, antifashiste dhe qytetare është gjallë".

Në fjalimin e tij para gazetarëve dhe përkrahësve, Beqiroviq tha se, pavarësisht rezultatit, nuk do të festojë, duke përmendur gjendjen e rëndë sociale të qytetarëve dhe përvjetorin e tragjedisë që goditi Jablanicën.

"Si para katër vitesh, nuk do të festoj. Dua të mbetem i përulur dhe i matur. Ndërsa ne flasim në konferenca për shtyp, në Bosnjë e Hercegovinë ka njerëz që sonte nuk kanë rrymë, ujë, ose nuk e dinë nëse nesër do të kenë para t'i japin fëmijës për ushqimin e shkollës. Nuk mund të festoj as për shkak të Jablanicës sonë", tha Beqiroviq.

Ai kujtoi se para nëntë muajsh e kishin nxitur të hiqte dorë: "Thoshin se është e pamundur t'i durosh gjërat që po na përgatisin. Nëntë muaj më vonë, u them qytetarëve: nuk hoqa dorë, fituam”.

Duke iu referuar fushatës zgjedhore, ai e cilësoi atë si "më të gjatën, më të vështirën dhe më të ndyrën", por bëri thirrje që të ruhet dinjiteti i kundërshtarëve politikë, duke theksuar se Bakir Izetbegoviq nuk ishte aspak kundërkandidat i lehtë.

Për prioritetet kryesore shtetërore, Beqiroviq theksoi se drejtimet e politikës së jashtme të Bosnjë e Hercegovinës mbeten të pandryshuara.

"Rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në NATO duhet ta vazhdojmë me vendosmëri. Bosnjë e Hercegovina është mbrojtësja më e madhe e paqes dhe e bashkëpunimit. E ardhmja e rajonit tonë nuk qëndron në marrjen e modelit rus të marrëdhënieve me fqinjët, por në modelin evropian të bashkëpunimit", tha ai, duke u bërë thirrje Brukselit për mbështetje më të fortë, sepse "vlerat evropiane mbrohen edhe në Bosnjë e Hercegovinë".

Në mesazhin drejtuar të gjithë popujve dhe qytetarëve të vendit, ai theksoi se Bosnja ka potencial të bëhet "Zvicra e Ballkanit" dhe u bëri thirrje drejtpërdrejt kryeqyteteve fqinje:

“I ftoj Beogradin dhe Zagrebin të sillen me Bosnjë e Hercegovinën me respekt, ashtu siç sillen Parisi, Berlini dhe Roma me Zvicrën. Kjo është formula e vetme e paqes dhe e stabilitetit në rajon. Një Bosnjë e qetë do të thotë Evropë Juglindore e qetë, dhe një Evropë Juglindore e qetë do të thotë gjithë Evropë e qetë”.

Fjalimin e mbylli me fjalët: "Le të jetë vullneti i popullit ligji suprem”.

Denis Beqiroviq fitoi 207.281 vota në garën për anëtar të Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit boshnjak, bazuar në 100 për qind të votave të numëruara nga vendvotimet e rregullta, të publikuara nga KQZ e BeH-së në faqen "izbori.ba". Pas tij vjen Bakir Izetbegoviq, me 184.602 vota.