| Albanian
LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme sekrete ndaj Iranit gjatë luftës ShBA-Izrael
Emiratet goditën një rafineri në ishullin iranian Lavan në fillim të prillit, thanë burime anonime për gazetën Wall Street Journal. Sulmi ishte një nga disa operacionet që Abu Dhabi ka kryer gjatë luftës.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme sekrete ndaj Iranit gjatë luftës ShBA-Izrael
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme sekrete ndaj Iranit gjatë luftës ShBA-Izrael / AP

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë kryer në mënyrë sekrete një seri sulmesh kundër Iranit mes luftës në vazhdim mes ShBA-së dhe Izraelit, sipas një raporti të publikuar të hënën.

Një nga objektivat ka qenë një rafineri në ishullin iranian Lavan, thanë për gazetën The Wall Street Journal burime anonime të njohura me çështjen. Sipas gazetës, rafineria u godit në fillim të prillit, në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump pritej të shpallte një armëpushim me Iranin, duke shkaktuar një zjarr të madh dhe nxjerrjen jashtë funksionit të objektit.

Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa balistike dhe dronë ndaj Emirateve dhe Kuvajtit. Një nga burimet tha se ShBA-ja e mirëpriti në heshtje hyrjen e Emirateve në luftë.

Wall Street Journal raportoi se Irani ka shënjestruar Emiratet më shumë se çdo shtet tjetër, përfshirë Izraelin, duke kryer mbi 2.800 sulme me raketa dhe dronë ndaj shtetit të Gjirit.

Këto sulme kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë e Emirateve, duke çuar në largime nga puna dhe pezullime të përkohshme të punonjësve, si dhe kanë “nxitur një ndryshim themelor në qasjen strategjike të vendit, që tashmë e sheh Iranin si një aktor të papërgjegjshëm që synon të minojë modelin ekonomik dhe shoqëror të vendit, të bazuar në talentin e huaj dhe reputacionin për siguri dhe stabilitet”, thanë zyrtarë anonimë të Gjirit për gazetën.

Ministria e Jashtme e Emirateve nuk komentoi mbi sulmet kur u pyet nga gazeta. Megjithatë, ajo iu referua një deklarate të mëparshme, ku theksohej e drejta e Abu Dhabit për t’iu përgjigjur akteve armiqësore.

“Është domethënëse që një shtet arab i Gjirit është bërë palë ndërluftuese dhe ka goditur drejtpërdrejt Iranin”, tha për gazetën analistja e Lindjes së Mesme, Dina Esfandiary. 

“Teherani tani do të synojë të thellojë përçarjet mes Emirateve dhe vendeve të tjera arabe të Gjirit që po përpiqen të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund luftës”.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë