Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve me rastin e 27-vjetorit të rënies së dëshmorëve të fshatrave Shtuticë, Vërboc, Gllobar dhe Baks në Drenas dhe Skënderaj, tha se 27 vjet pas luftës shumë serbë që kanë kryer krime në Kosovë po arrestohen dhe gjykohen në mungesë.
Kurti i cili bëri homazhe në këto fshatra i shoqëruar me kryetaren e Kuvendit, njëherësh Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se gjaku i tyre është shndërruar në dritën e lirisë që e ndriçon rrugën përpara, përkujton të kaluarën “dhe në këtë mënyrë jemi të sigurt se ku shkojmë”.
“Pas 27 vjetëve shumë kriminelë serbë po arrestohen ose po gjykohen në mungesë dhe ka përparime edhe sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të zhdukur me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Sipas tij, Prokuroria dhe Gjyqësori duhet të bëjnë më shumë në këtë aspekt, duhet të veprojnë më shpejt, për shkak se siç tha ai “dëshmitë materiale janë këtu, mirëpo në anën tjetër dëshmitarët po mplaken, shumë prej tyre edhe po ndërrojnë jetë, prandaj na duhet që të nxitohemi që të kemi sa më shumë drejtësi për viktimat tona”.
Kurti shtoi se Republika e Kosovës, demokratike e pavarur, shtet i orientuar kah Bashkimi Evropian dhe NATO-ja i ka rrënjët e lirisë së saj dhe themelet e sistemit të institucioneve në gjakun e këtyre dëshmorëve edhe martirëve.























