Roberto Mancini do të rikthehet si trajner i kombëtares së Italisë për një mandat të dytë, tha presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malago, në një mbledhje të këshillit të federatës, sipas ANSA-s.
Agjencia italiane e lajmeve raportoi se Mancini, i cili aktualisht është pa kontratë pas një periudhe te klubi Al-Sadd i Katarit, do të pasojë në detyrë pas trazirave brenda federatës, pas dështimit të emërimit të pritur të Andrea Pirlos.
Ish-sulmuesi i Sampdorias dhe Lazios gjithashtu ka drejtuar klubin turk Galatasaray gjatë sezonit 2013-2014, përpara se të rikthehej në drejtimin e kombëtareve.
Mancini më parë e udhëhoqi Italinë drejt titullit të Kampionatit Evropian UEFA "Euro 2020", por gjithashtu drejtoi ekipin gjatë dështimit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës FIFA 2022, përpara se të largohej nga kombëtarja në vitin 2023 për ta marrë drejtimin e Arabisë Saudite.
Pirlo, pjesë e skuadrës së Italisë që fitoi Kupën e Botës në vitin 2006, ishte shfaqur si kandidati kryesor pasi trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e refuzoi postin javën e kaluar.
Megjithatë, emërimi i tij raportohet se u bllokua pas polemikave lidhur me sponsorizimin e tij nga kompania ruse e basteve "Fonbet", duke shkaktuar krizë brenda federatës.
Sipas ANSA-s, drejtori teknik i FIGC-së, Paolo Maldini dhe këshilltari Leonardo dhanë dorëheqje më pak se tri javë pasi morën detyrat e tyre për shkak të këtij vendimi.
Raporti shtoi se ish-trajneri i Leicester Cityt dhe AS Roma, Claudio Ranieri, pritet të bëhet drejtori i ri teknik i federatës.



















