Ministri i Arsimit i Türkiyes, Yusuf Tekin, dhe homologu i tij gjeorgjian, Givi Mikanadze, nënshkruan të premten një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit.
Tekin, i cili ndodhet në kryeqytetin gjeorgjian Tbilisi për bisedime zyrtare, u takua me Mikanadzen në ndërtesën e ministrisë. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Türkiyes në Tbilisi, Mustafa Türker Arı, ndërsa palët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe në arsim dhe fusha të tjera.
Pas takimit që zgjati rreth një orë, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes që e synon avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e arsimit mes dy vendeve.
Duke folur pas ceremonisë, Tekin tha: “Sa më të fortë të jemi ne dhe fqinji ynë, dhe sa më i mirë të jetë bashkëpunimi ynë me fqinjin, aq më të forta do të jenë paqja, të drejtat e njeriut dhe demokracia në rajonin tonë”.
Mikanadze theksoi rëndësinë e vizitës së Tekinit në Gjeorgji për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke thënë: “Kjo vizitë edhe një herë nënvizon bashkëpunimin jashtëzakonisht pozitiv, partneritetin strategjik dhe miqësinë mes dy vendeve”.
Në kuadër të marrëveshjes, Türkiye dhe Gjeorgjia synojnë ta forcojnë bashkëpunimin në arsim, të hapin institucione arsimore mbi bazën e reciprocitetit, të punojnë për njohjen e diplomave dhe dokumenteve arsimore, të promovojnë mësimin e gjuhës turke dhe gjeorgjiane, si dhe të rrisin shkëmbimin e informacionit dhe përvojës në fushën e arsimit.























