Bordi i Paqes ka mirëpritur hapat konkretë të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si pjesë e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën.
"Bordi i Paqes mirëpret angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për të avancuar paqen dhe rindërtimin në Gaza", thuhet në reagimin e Bordit i cili u themelua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump në janar të vitit 2026 dhe për të cilin Trump tha se grupi do të punojë në partneritet me OKB-në për të adresuar krizat shumë përtej Rripit të Gazës.
Pjesë e Bordit të Paqes është edhe Kosova e cila u përfaqësua nga presidentja, Vjosa Osmani.
Të hënën në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se ky është një vendim me peshë shtetërore, me përgjegjësi institucionale dhe me domethënie të veçantë për Republikën e Kosovës.
Ai tha se zbarkimi i FSK-së në kuadër të këtij misioni ndërkombëtar të drejtuar nga partneri strategjik ShBA-ja është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza dhe për mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare, me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare.
Për të hyrë në fuqi ky propozim-vendim i Qeverisë së Kosovës do t'i kalojë për miratim Kuvendit të Kosovës dhe duhet të miratohet nga shumica parlamentare.




















