| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye hap rrugë tranziti me Arabinë Saudite për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit
Vendi ka rezerva ushqimore dhe plehrash të mjaftueshme, ndërsa pret prodhim të lartë bujqësor këtë vit, tha ministri i Tregtisë i Türkiyes, Ömer Bolat.
Türkiye hap rrugë tranziti me Arabinë Saudite për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit
Türkiye hap rrugë tranziti me Arabinë Saudite për shkak të krizës në Ngushticën e Hormuzit / AA
8 orë më parë

Ministri i Tregtisë së Türkiyes, Ömer Bolat, njoftoi të hënën se vendi i tij ka nisur një korridor tranziti tregtar me Arabinë Saudite për të siguruar vazhdimësinë e dërgesave drejt vendeve të rajonit, në kushtet e ndërprerjeve në Ngushticën e Hormuzit.

Duke folur në një ceremoni në Ankara, Bolati deklaroi se mallrat që nuk mund të kalojnë përmes kësaj rruge detare të rëndësishme, do të ridrejtohen përmes kanaleve logjistike alternative.

“Me marrëveshjen e arritur me Arabinë Saudite kemi vënë në funksion tregtinë tranzit. Kështu, mallrat që nuk kalojnë dot përmes Ngushticës së Hormuzit, do të vazhdojnë të mbërrijnë në vendet e rajonit, një pjesë përmes tubacioneve dhe një pjesë përmes transportit rrugor”, u shpreh ai.

Bolati bëri të ditur se, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, tashmë po lëshohen viza tranziti, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në ruajtjen e qarkullimit tregtar në rajonin e Gjirit.

Ai nënvizoi se bota po përballet me një periudhë pasigurie të thellë dhe se qeveria turke po ndërmerr masa për të mbrojtur interesat ekonomike në këto kushte.

Sipas tij, Türkiye synon të rrisë eksportet e mallrave dhe shërbimeve, duke mbajtur njëkohësisht importet në nivele të kontrolluara. Prodhuesit po mbështeten përmes skemave të ndryshme dhe stimujve për investime.

Duke iu referuar luftës që shpërtheu në fund të shkurtit pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit, ai tha se disa zona energjetike janë mbyllur për qarkullim, duke shkaktuar ndërprerje serioze në furnizimin me produkte të tilla si ato të petrokimisë, kimikatet dhe plehrat.

Bolati shtoi se Türkiye ka bërë përparime të konsiderueshme në sektorin e logjistikës, i cili tashmë ka arritur vlerën e 112 miliardë dollarëve.

Sa i përket bujqësisë, ai theksoi se vendi ka rezerva të mjaftueshme, veçanërisht në produktet ushqimore, dhe se pritet një prodhim rekord në shumicën e të mbjellave të këtij viti, nëse nuk rrezikohen nga ngricat.

Ministri turk i Tregtisë bëri të ditur gjithashtu se janë krijuar rezerva të mjaftueshme plehrash kimike për të shmangur probleme në furnizimin bujqësor, ndërsa eksportet janë vënë nën regjim regjistrimi dhe tarifat doganore për importet janë ulur në zero.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë