Kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi sot ShBA-në për mungesë të një "strategjie daljeje" në luftën e Iranit ndërsa u shpreh se iranianët janë "negociatorë shumë të aftë".
"Problemi me konflikte të tilla është gjithmonë ky: Nuk duhet vetëm të hyni; duhet edhe të dilni. Ne e pamë këtë me shumë dhimbje në Afganistan, për 20 vjet. E pamë në Irak", tha Merz gjatë një diskutimi me nxënësit e shkollave të mesme në qytetin perëndimor Marsberg.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA citoi kancelarin të ketë thënë se "ShBA-ja hyri në këtë luftë në Iran pa asnjë strategji", duke shtuar se "kjo është arsyeja pse tani është edhe më e vështirë t'i jepet fund konfliktit".
Merz tha se nuk beson se ShBA-ja mund t'i japë fund luftës në Iran shpejt "sepse iranianët janë padyshim më të fortë se sa pritej dhe amerikanët qartazi nuk kanë asnjë strategji vërtet bindëse në negociata".
"Sidomos duke qenë se iranianët janë padyshim shumë të zotë në negociata, ose më saktë, shumë të zotë për të mos negociuar", tha kancelari duke shtuar se "Një vend i tërë po poshtërohet nga udhëheqja iraniane".
Merz paralajmëroi se lufta e ShBA-së në Iran ka ndikuar thellë në performancën ekonomike të vendit të tij. "Është një situatë mjaft e ndërlikuar për momentin dhe po na kushton shumë para. Ky konflikt, kjo luftë kundër Iranit, ka ndikim të drejtpërdrejtë në performancën tonë ekonomike", tha ai.
Javën e kaluar, fuqia ekonomike e Evropës uli parashikimin e saj të rritjes për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke fajësuar drejtpërdrejt luftën e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Koalicioni i udhëhequr nga konservatorët e Merzit tani pret që ekonomia të rritet vetëm 0.5 për qind këtë vit, nga vlerësimi i mëparshëm prej 1 për qind. Për vitin 2027, gjithashtu uli parashikimin e saj në 0.9 për qind nga 1,3 për qind.
Në fillim të këtij muaji, një sondazh i kryer nga gazeta "Bild am Sonntag" zbuloi se 70 për qind e votuesve me të drejtë vote janë të pakënaqur me performancën e Merzit ndërsa 21 për qind janë të kënaqur. Ndërkohë, 73 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me koalicionin e qendrës së djathtë të Kristian Demokratëve dhe Social Demokratëve ndërsa 20 për qind janë të kënaqur.

















