Rrëzohet avion luftarak turk F-16 në Balıkesir, humb jetën piloti

Kontakti radio dhe informacioni i gjurmimit u humbën me avionin, i cili u ngrit nga Komanda e Bazës Kryesore Ajrore e 9-të në Balıkesir, njofton Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

By
Rrëzohet avion luftarak turk F-16 në Balıkesir, humb jetën piloti / AA

Një avion luftarak turk F-16 u rrëzua në provincën perëndimore të Balıkesirit herët të mërkurën, duke shkaktuar vdekjen e pilotit të Forcave Ajrore, major Ibrahim Bolat, njoftoi Ministria e Mbrojtjes Kombëtare.

Sipas një deklarate të ministrisë, kontakti radio dhe informacioni i gjurmimit u humbën me avionin, i cili ishte ngritur nga Komanda e Bazës Kryesore Ajrore e 9-të në Balıkesir në orën 00:56 sipas kohës lokale (21:56 GMT të martën).

Operacionet e kërkim-shpëtimit u nisën menjëherë dhe më pas u lokalizuan mbetjet e avionit, thuhet në deklaratë.

“Piloti ynë ra dëshmor. Shkaku i aksidentit do të përcaktohet pas hetimit nga ekipi i ekzaminimit të rrëzimit”, tha ministria, duke shprehur ngushëllimet për familjen e pilotit.

Edhe Guvernatori i Balıkesirit, İsmail Ustaoğlu, shprehu ngushëllimet e tij.

Ministri i Drejtësisë, Akın Gürlek, tha se Zyra e Kryeprokurorit të Balıkesirit ka nisur një hetim zyrtar për rrëzimin.

Gürlek shtoi se kryeprokurori, zëvendëskryeprokurori dhe dy prokurorë publikë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.