| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kurti: BE-ja ka miratuar 206.4 milionë euro fonde për Kosovën
“Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe më pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të fillojnë zbatimin”, shkroi Kurti.
Kurti: BE-ja ka miratuar 206.4 milionë euro fonde për Kosovën
Kurti: BE-ja ka miratuar 206.4 milionë euro fonde për Kosovën / AA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro dhe se janë miratuar edhe 3 grante nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.

Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se pas këtyre miratimeve Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e BE-së.

“Dje, më 7 korrik, Bashkimi Evropian na njoftoi zyrtarisht se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga Kosova në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro. Pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe më pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi, projektet do të fillojnë zbatimin”, shkroi Kurti.

Ai tha se fondet do të mbështesin fushat prioritare të vendit, si: Mjedisi dhe klima me 44 milionë euro; Energjia me 34,5 milionë euro; Menaxhimi i kufijve dhe migrimi me 30,5 milionë euro; Konkurrueshmëria, arsimi dhe punësimi me 31,8 milionë euro; Qeverisja e mirë dhe përafrimi me BE me 24,7 milionë euro dhe Sundimi i ligjit me 15 milionë euro.

Tutje kryeministri në detyrë tha se rreth gjysma e fondeve do të shkojnë për investime infrastrukturore dhe shumica e projekteve do të realizohen në kombinim me partnerë të tjerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet kosovare.

Kurti falënderoi BE-në për mbështetjen derisa shtoi se këto mjete do të shfrytëzohen në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë