Bashkimi Evropian (BE) duhet të zhvillojë kapacitetet e veta strategjike ushtarake për t’i zëvendësuar asetet kryesore që aktualisht ofrohen nga ShBA-ja, veçanërisht nëse Uashingtoni i zhvendos burimet e tij drejt rajonit Indo-Paqësor, deklaroi të hënën Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius.
Duke folur në Forumin e Sigurisë së Varshavës 2026, Kubilius theksoi se Evropa duhet të jetë e përgatitur të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të garantojë aftësinë për t’i frenuar kërcënimet e mundshme në disa fronte.
“Nëse amerikanët, për shkak të këtyre zhvillimeve, i zhvendosin vërtet burimet e tyre drejt rajonit Indo-Paqësor, ne duhet të jemi të gatshëm të zëvendësojmë ato që i quajmë kapacitete strategjike mbështetëse, të cilat aktualisht ShBA-ja ia ofron Evropës”, tha ai.
Kubilius identifikoi kapacitetet hapësinore si një nga fushat kryesore ku Evropa duhet ta forcojë autonominë e saj strategjike, duke theksuar zhvillimin e sistemit të sigurt të komunikimit satelitor të BE-së, IRIS².
Ai tha se blloku shpreson të nisë operacionet e para të IRIS² në vitin 2029, duke e përshkruar atë si ekuivalentin evropian të Starlink, i cili do të ofrojë komunikime të sigurta satelitore përmes teknologjive të avancuara, përfshirë teknologjitë kuantike.
Megjithatë, ai pranoi se Evropa përballet me sfida të konsiderueshme në zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për ndërtimin dhe vendosjen në funksion të sistemeve të tilla në mënyrë të pavarur, veçanërisht në fushën e mjeteve të lëshimit në hapësirë.
“Sfida jonë e madhe është gjithashtu të kemi kapacitetet për t’i ndërtuar dhe vendosur këto sisteme duke përdorur mjetet tona të lëshimit, sepse pikërisht në këtë drejtim jemi shumë prapa”, tha ai, duke e cilësuar zhvillimin e kapaciteteve evropiane të lëshimit në hapësirë si përparësi.
Përtej zhvillimit të kapaciteteve strategjike mbështetëse, Kubilius theksoi nevojën për t’i adresuar dobësitë strukturore të industrisë së fragmentuar evropiane të mbrojtjes.
Ai tha se BE-ja po punon për ta kapërcyer fragmentimin dhe për të zhvilluar një treg më të integruar të mbrojtjes, përfshirë projekte që lidhen me mbrojtjen kundër dronëve, forcimin e krahut lindor, sistemet kundër raketave balistike, mbrojtjen ajrore, sigurinë detare dhe krijimin e një mburoje hapësinore.
Kubilius i paraqiti këto përpjekje si pjesë të një transformimi më të gjerë, të nevojshëm për ta përgatitur Evropën për atë që ai e quajti “NATO 3.0” dhe “Evropa 3.0”.





















