Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka falënderuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas reagimit të tij mbi marrëveshjen për emigrantët mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Meloni ka ndarë reagimin e kryeministrit Rama, duke shkruar: “Faleminderit Edi”.
Në një reagim dje në rrjetet sociale, Rama theksoi se protokolli i nënshkruar me Italinë është për të qëndruar, sipas tij, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë.
Reagimi i kryeministrit Rama erdhi pas pretendimeve në lidhje me një deklaratë të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej.
"Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: 'Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe'", tha dje në një reagim në rrjetet sociale ministri Hoxha.
- Protokolli Shqipëri-Itali për çështjen e emigracionit
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, ky protokoll ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet palëve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Ndërkohë, sipas protokollit, autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të emigrantëve të strehuar në strukturat që janë ndërtuar, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit.
Qendrat që janë ngritur në Qarkun e Lezhës menaxhohen nga autoritetet italiane.






















