Izraeli ka zgjedhur Greqinë për të avancuar ambiciet e tij rajonale, tha të dielën raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese.
Duke folur në një prezantim në Athinë të librit të saj të ri, “Kur bota fle: Histori, fjalë dhe plagë të Palestinës”, Francesca Albanese tha se disa qarqe në Greqi kanë një perceptim të gabuar për aleancën e tyre me Izraelin.
“Ju mendoni se e keni zgjedhur Izraelin për të siguruar paqe nga armiku juaj i përjetshëm,unë nuk mendoj kështu”, tha ajo.
“Izraeli ju ka zgjedhur ju. Izraeli ka zgjedhur Greqinë dhe do të shfrytëzojë frikën dhe pasiguritë tuaja, sepse kjo është ajo që bën Izraeli për të avancuar hegjemoninë e tij rajonale”, theksoi Albanese.
Duke theksuar se Izraeli është akuzuar nga dy gjykatat ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Albanese kujtoi se shtetet kanë detyrimin të mos jenë bashkëpunëtore në krimet e Izraelit.
“Përveç dëmit moral, dua të them si juriste se kjo është e paligjshme dhe duhet të ketë përgjegjësi. Pra, ata që vazhdojnë të autorizojnë transferime armësh ose mallrash drejt ose nga Izraeli në Greqi ose nga Greqia në Izrael duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha ajo.

















