Arabia Saudite ka njoftuar se tre shtetas të saj u vranë në dy sulme të kryera dje, të cilat shënjestruan aeroportin ndërkombëtar "Mbreti Khalid" në kryeqytetin Riad dhe një avion të kompanisë "Saudia Airlines".
Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil në X bëri të ditur se sulmi i parë shënjestroi objektet e aeroportit ndërsa i dyti goditi një avion të kompanisë kombëtare ajrore. Autoriteti tha se ekipet e emergjencës reaguan menjëherë ndaj sulmeve, të cilat plagosën gjithashtu “një numër shtetasish dhe banorësh të kombësive të ndryshme”.
Sipas deklaratës, shkalla e lëndimeve varionte nga të lehta deri në të rënda, ndërsa personat e prekur u transportuan menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Sulmet shkaktuan gjithashtu dëme materiale. Zyrtarët njoftuan edhe rifillimin e aktiviteteve operacionale në aeroport, duke bërë të ditur se trafiku ajror ishte kthyer në normalitet.
Televizioni shtetëror Al Ekhbariya raportoi se operacionet e fluturimeve në aeroport rifilluan dje, në orën 18:00 me kohën lokale. Në një deklaratë tjetër, "Saudia Airlines" konfirmoi se incidenti “shkaktoi dëme në një prej avionëve të saj, i cili ndodhej në tokë në aeroport”, duke shtuar se në momentin e incidentit nuk kishte pasagjerë në bord.
Kompania ajrore bëri të ditur se një prej punonjësve të saj humbi jetën nga sulmet, duke shprehur “ngushëllimet më të thella” për familjen e viktimës. Autoritetet saudite nuk identifikuan përgjegjësit për sulmin, i cili ndodhi në një kohë kur kanë rifilluar luftimet mes forcave qeveritare të Jemenit dhe rebelëve Huthi.





















