Në mesin e shumë mënyrave për të eksploruar Tiranën është edhe "Tirana City Tour", duke ofruar një mënyrë zbavitëse për t'u njohur me destinacionet turistike të kryeqytetit të Shqipërisë.
Me autobusët e hapur dhe dykatësh, kjo lloj guide ka tërhequr në dy vitet e fundit interesin e turistëve të huaj nga pothuajse të gjitha kontinentet.
Për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj të cilët duan të njihen me atraksionet, monumentet dhe historinë e kryeqytetit Tiranë, ofrohet edhe një guidë audio shumëgjuhëshe.
Turi me autobusin e hapur përfshin disa nga zonat më të njohura dhe që konsiderohen edhe si ndalesa të turistëve, si Sheshin "Skënderbeu", Sheshin "Nënë Tereza", Piramidën e Tiranës, Xhaminë e Namazgjasë, muzeun Bunk’Art 1, që i kushtohet të kaluarës komuniste në Shqipëri, dhe destinacione të tjera.
Guida e "Tirana City Tour", Ariel Allushi, për Anadolu tregon se gjatë turit me autobus ofrojnë tetë ndalesa, të cilat sipas tij përfshijnë disa nga atraksionet më të rëndësishme që Tirana ka për të ofruar.
"Ky tur zgjat një deri në një orë e gjysmë, në varësi të trafikut. Ndalesat përfshijnë disa nga muzetë më të rëndësishëm që ka Tirana, dy nga sheshet kryesore që Tirana ka brenda saj, dhe ne gjithashtu shkojmë tek teleferiku, të cilin turistët mund ta përdorin për t'u ngjitur në mal", tha ai.
Allushi theksoi se turistët janë nga Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Evropa, Australia, Azia, dhe gjithashtu Afrika.
Marta Zaczkowska është me origjinë nga Polonia, por ajo jeton në Londër, ndërkohë ka vizituar për herë të parë Shqipërinë së bashku me nënën e saj.
Ajo tregon se planifikoi udhëtimin me "Tirana City Tour", sepse mendon se është mënyra më e mirë për të eksploruar qytetin.
Zaczkowska shprehet se njerëzit në Shqipëri janë shumë miqësorë dhe sipas saj mikpritja shqiptare është fantastike.
"Dua të shohim se çfarë ka në qytet, cilat janë pikat kryesore dhe kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur Tirana City Tour.
Është vizita e parë në Shqipëri. Ne kemi një komunitet të madh shqiptarësh. Ata gjithmonë më kanë thënë 'duhet ta vizitosh(Shqipërinë)", prandaj, ja ku jam", tregon Zaczkowska.
Mark Hooper nga Britania e ka vizituar Shqipërinë së bashku me bashkëshorten e tij, ku kanë zgjedhur udhëtimin me autobusin e hapur për t'u njohur me destinacionet turiste të metropolit shqiptar.
Ai tregon se ky lloj udhëtimi në Tiranë ka qenë edhe i këndshëm. "Kjo është vizita jonë e parë në Shqipëri. Mendoj se njerëzit janë miqësorë dhe ushqimi është i mirë", tha Hooper për Anadolu.
Autobusët e hapur për këtë lloj guide në Tiranë janë në dispozicion çdo ditë të javës.
Qeveria e Shqipërisë ka në fokus zhvillimin e sektorit të turizmit dhe sipas autoriteteve shqiptare "në vitin 2030 Shqipëria do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm".






















