Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të enjten se vendi i tij po ruan stabilitetin dhe po merr përgjegjësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në një kohë kur luftërat, konfliktet dhe krizat po zhvillohen si në rajonin përreth, ashtu edhe në pjesë të tjera të botës.
Në një videomesazh me rastin e Ditës së Republikës, Erdoğan uroi qytetarët për 103-vjetorin e shpalljes së Republikës së Türkiyes.
“Uroj kombin tonë të dashur, vëllezërit dhe motrat tona turq qipriotë, si dhe të gjithë qytetarët tanë që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës, me rastin e Ditës së Republikës, më 29 tetor.
Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të ftuarit tanë të nderuar në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit, të cilët ndajnë me ne gëzimin dhe emocionet e kësaj feste kombëtare. Gjithashtu, përqafoj përzemërsisht të gjithë miqtë, vëllezërit dhe motrat tona në hapësira të ndryshme gjeografike e kulturore, zemrat e të cilëve rrahin bashkë me kombin tonë dhe që ndajnë me ne gëzimet dhe hidhërimet, të bashkuar nga një fat dhe frymë e përbashkët”, tha ai.
Duke theksuar se republika është dëshmia më e fuqishme e vendosmërisë së kombit turk për të jetuar në liri, e vullnetit të tij për të ruajtur pavarësinë dhe për të përcaktuar vetë të ardhmen, Erdoğan tha se Lufta Kombëtare për Pavarësi, e udhëhequr nga Mustafa Kemal Atatürk, themeluesi i Republikës së Türkiyes, i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një komb i bashkuar edhe në rrethanat më të vështira.
“Kjo arritje madhore, e siguruar pavarësisht kufizimeve të mëdha, jo vetëm që ndryshoi fatin e një kombi, por gjithashtu gdhendi në histori fuqinë e vullnetit kombëtar dhe domosdoshmërinë e së drejtës për të jetuar në pavarësi”, shtoi ai.
Erdoğan nënvizoi se vendi do të vazhdojë të punojë për paqen dhe drejtësinë, duke iu përmbajtur parimit “Paqe në atdhe, paqe në botë”.
“Vendosmëria, guximi dhe vullneti që dëshmuam si komb pikërisht 103 vjet më parë, vazhdojnë të jenë edhe sot ndër burimet tona më të fuqishme të motivimit. Përparimin që kemi shënuar gjatë 24 viteve të fundit në një gamë të gjerë fushash, nga industria e mbrojtjes dhe energjia te transporti dhe diplomacia, e konsiderojmë si një sërë etapash të rëndësishme drejt ndërtimit të një Türkiyeje me ndikim dhe të begatë.
Vendi ynë, i cili po zhvillon teknologjinë e vet, po zgjeron kapacitetet mbrojtëse, po forcon sigurinë e furnizimit me energji, po modernizon infrastrukturën e transportit në përputhje me kërkesat e kohës dhe po rrit vazhdimisht kapacitetet prodhuese, po ecën me besim drejt një të ardhmeje më të fuqishme”, u shpreh presidenti turk.
“Si 86 milionë qytetarë, të bashkuar rreth vlerave tona të përbashkëta, do ta kthejmë në realitet vizionin tonë ‘Shekulli i Türkiyes’ dhe së bashku do ta çojmë Republikën e Türkiyes, të cilën e konsiderojmë si çatinë e përbashkët që na strehon të gjithëve, drejt një të ardhmeje shumë më të ndritur.
Kam kënaqësinë të them se Türkiye është sot, falë Zotit, më e fuqishme se dje. Me vullnetin e Zotit, nesër do të jetë shumë më e fuqishme, më e respektuar dhe me më shumë ndikim në çdo fushë. Me ndihmën e Zotit, kombi turk do të lërë gjurmën e tij në këtë shekull.
Zoti na e hapttë rrugën dhe i dhëntë kombit tonë një të ardhme të ndritur. Me këtë rast, përkujtoj me respekt dhe lutje për mëshirën e Zotit Gazi Mustafa Kemal Atatürkun, themeluesin e republikës sonë, bashkëluftëtarët e tij, heronjtë e Luftës sonë Kombëtare dhe dëshmorët tanë të dashur që dhanë jetën për atdheun, si dhe shpreh mirënjohjen time ndaj veteranëve tanë.
Gëzuar 103-vjetorin e republikës sonë!”, përfundoi Erdoğan.






















