Türkiye ia vë përgjegjësinë BE-së për procesin e anëtarësimit, bën thirrje për vullnet politik
Shefi i diplomacisë turke thotë se Türkiye vazhdon të kërkojë anëtarësim të plotë në BE, flet për hapje të reja drejt paqes në Ukrainë dhe paralajmëron se përpjekjet për stabilitet rajonal po përballen me rreziqe të reja.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, tha se Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka bërë “plotësisht të qartë” dëshirën e Ankarasë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke theksuar se hapi i radhës duhet të vijë nga Brukseli dhe se me “vullnet politik në Evropë” pengesat e mbetura për anëtarësimin e Türkiyes mund të kapërcehen shpejt.
Duke folur për gazetën gjermane Welt am Sonntag gjatë një vizite në Berlin të shtunën, Fidan tha se Türkiye vazhdon të synojë anëtarësimin e plotë në BE dhe pret “progres objektiv dhe të drejtë”, duke argumentuar se bllokimet e së kaluarës u shkaktuan nga kundërshtime politike të disa shteteve anëtare dhe jo nga mangësi teknike në procesin negociator.
Rusia–Ukraina
Sa i përket luftës në Ukrainë, Fidan tha se si Kievi ashtu edhe Moska duken “më të përgatitura për paqe” krahasuar me muajt e parë të konfliktit.
Ai u shpreh se Presidenti rus Vlladimir Putin është i gatshëm të pranojë një armëpushim dhe një marrëveshje të gjerë paqeje “nën kushte të caktuara”, duke theksuar se Türkiye i ka përcjellë këto sinjale Ukrainës dhe është e angazhuar në pjesë të përpjekjeve aktuale diplomatike.
Fidan theksoi debatin mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, duke bërë dallimin mes forcave të NATO-s dhe misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë jashtë NATO-s.
Ai tha se ShBA-ja po diskuton një garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, ndërsa vendet evropiane insistojnë që Kievi të vendosë vetë për arkitekturën e tij të sigurisë.
Nga ana tjetër, Rusia e sheh “kufirin maksimal” të çdo marrëveshjeje si pjesë të kornizës së saj të sigurisë, shtoi ai.
Një paqe e qëndrueshme, sipas tij, do të kërkonte klauzola të detajuara dhe “angazhime të qarta” që asnjëra palë të mos sulmojë tjetrën “për asnjë arsye”, gjë që ai argumentoi se mund të sigurojë stabilitetin e Evropës për dekada.
‘Jo konfrontim i përhershëm’
Duke iu referuar kërcënimeve të supozuara hibride ruse, përfshirë sulme kibernetike, Fidan tha se Türkiye është përballur drejtpërdrejt me Rusinë në disa zona konflikti, por ka ruajtur njëkohësisht edhe dialogun.
Ankaraja, sipas tij, reagon me vendosmëri kur dëmtohen interesat e saj, por “nuk mund të përballojë një konfrontim të përhershëm me fqinjët”.
Fidan përmendi tre shtylla të arkitekturës së ardhshme të sigurisë evropiane: sistemin e bazuar në NATO, domosdoshmërinë për të forcuar industrinë e mbrojtjes në Evropë, e cila u ekspozua si e pamjaftueshme nga lufta në Ukrainë dhe debatin për rolin afatgjatë të ShBA-së në kontinent.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Türkiye dhe Italia duhet të udhëheqin këto diskutime.
Siria
Sa i përket Sirisë, Fidan tha se vendi po shërohet ngadalë nga shkatërrimet ekonomike dhe të luftës, duke shtuar se rreth 500.000 sirianë janë kthyer vullnetarisht nga Türkiye.
Por ai paralajmëroi se përpjekjet për stabilizim rajonal po përballen me rreziqe të shtuara për shkak të veprimeve aktuale të Izraelit.