Türkiye: Zgjidhja më realiste për çështjen e Qipros qëndron në bashkëjetesën e dy shteteve në ishull
Çështja e Qipros mbetet e bllokuar për shkak të refuzimit të grekoqipriotëve për të njohur barazinë e turkoqipriotëve, deklaron presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, deklaroi të enjten se zgjidhja më realiste për çështjen e Qipros qëndron në bashkëjetesën e dy shteteve në ishull.
“Arsyeja kryesore pse çështja e Qipros mbetet e pazgjidhur është refuzimi i palës grekoqipriote për të njohur statusin e barabartë ndërkombëtar të turkoqipriotëve”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV), Tufan Erhürman, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Türkiye pas zgjedhjes në detyrë.
“Ne mbajmë qëndrimin se zgjidhja është e mundur vetëm nëse dy kombet e ishullit jetojnë pranë njëri-tjetrit në paqe, mirëqenie dhe siguri”, shtoi presidenti turk.
Duke kritikuar palën grekoqipriote, Erdoğan theksoi se ajo “e sheh zgjidhjen e çështjes së Qipros si reduktimin e turkoqipriotëve në një pakicë brenda një shteti partner, që sot nuk ka më asnjë vlefshmëri”.
Ai gjithashtu tha se i konsideron të drejta deklaratat e presidentit Erhürman, i cili kishte theksuar se nuk do të ketë kompromis për sovranitetin e barabartë të turkoqipriotëve.
Nga ana e tij, Erhürman tha se “Türkiye ka qenë dhe mbetet një nga aktorët më të rëndësishëm në të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Qipros”.
Ai shtoi se pozicioni i turkoqipriotëve për statusin e dy partnerëve themelues të barabartë në ishull nuk është i hapur për diskutim, negociim apo pazar.