| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Demokratët amerikanë synojnë rikthimin e ShBA-së në luftën klimatike në COP31 në Türkiye
“Amerika jo vetëm që është kthyer, por është plotësisht e angazhuar”, tha kongresistja Ansari për Anadolu në COP31, duke iu referuar fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Demokratët amerikanë synojnë rikthimin e ShBA-së në luftën klimatike në COP31 në Türkiye
Demokratët amerikanë synojnë rikthimin e ShBA-së në luftën klimatike në COP31 në Türkiye / َAA

Ligjvënësit demokratë amerikanë zotohen për rikthimin e rolit udhëheqës të ShBA-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike

Ligjvënësit demokratë amerikanë, pjesëmarrës në konferencën e OKB-së për klimën COP31 në Türkiye, u zotuan të rikthejnë rolin udhëheqës të ShBA-së në përpjekjet ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës dhe të rindërtojnë besimin me partnerët globalë, raporton Anadolu.

Kongresistja demokrate nga Arizona, Yassamin Ansari, tha se demokratët do të shtojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, por rikthimi i plotë i ShBA-së në Marrëveshjen e Parisit dhe në rolin udhëheqës për klimën do të kërkojë një administratë të re në Washington.

Ajo theksoi se vendimet e përsëritura të presidentit Donald Trump për t'u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit kanë dëmtuar rëndë besimin ndërkombëtar ndaj ShBA-së. Ansari bëri të ditur se demokratët synojnë të marrin pjesë me një delegacion më të madh në COP32, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Addis Ababa të Etiopisë.

Sipas saj, rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit u kanë dhënë demokratëve më shumë mundësi për të kundërshtuar politikat klimatike të Trumpit dhe për të përgatitur rikthimin e ShBA-së në Marrëveshjen e Parisit. Megjithatë, ajo vlerësoi se rikthimi i plotë i vendit në rolin udhëheqës ndërkombëtar për klimën do të jetë i mundur vetëm me ardhjen e një administrate demokrate në vitin 2029.

Gjatë vizitës treditore, ligjvënësit zhvilluan takime me përfaqësues ndërkombëtarë, biznese dhe ekspertë të klimës. Ansari theksoi rëndësinë e mbështetjes për vendet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, veçanërisht shtetet e vogla ishullore dhe vendet afrikane.

Kongresisti Casten kërkon përfundimin e luftës në Iran dhe heqjen e tarifave doganore

Kongresisti demokrat nga Illinois, Sean Casten, tha se përfundimi i luftës në Iran dhe heqja e tarifave doganore do të ndihmonin në uljen e kostove të energjisë në mbarë botën.

“Ndërpritni financimin e luftës në Iran dhe hiqni tarifat doganore. Kështu do të ulen kostot jo vetëm për amerikanët, por edhe për njerëzit në mbarë botën”, tha ai.

Casten kërkoi gjithashtu më shumë financim ndërkombëtar për t'u mundësuar vendeve të investojnë në energjinë e pastër.

Shqetësimet për qendrat e të dhënave dhe lëndët djegëse fosile

Ligjvënësit paralajmëruan se zgjerimi i qendrave të të dhënave, i nxitur nga kërkesa në rritje për inteligjencën artificiale, nuk duhet të rrisë faturat e energjisë elektrike për familjet. Ata kërkuan që kompanitë e teknologjisë të mbulojnë kostot e infrastrukturës së re dhe të përdorin energji të pastër.

Gjithashtu, ligjvënësit mbështetën kalimin nga lëndët djegëse fosile, duke argumentuar se ato janë të kushtueshme dhe dëmtojnë klimën.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë