Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti të dielën përparimin drejt një marrëveshjeje të mundshme mes ShBA-së dhe Iranit, duke e theksuar nevojën për një marrëveshje që do t'i ulte tensionet dhe do ta parandalonte përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.
“E mirëpres përparimin drejt një marrëveshjeje mes ShBA-së dhe Iranit. Ne kemi nevojë për një marrëveshje që vërtet e ul konfliktin, rihap Ngushticën e Hormuzit dhe garanton lirinë e plotë të lundrimit pa tarifa”, shkroi von der Leyen në X.
Ajo përsëriti se Iranit “nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë armë bërthamore” dhe i bëri thirrje Teheranit t’u japë fund veprimeve që i cilësoi si “destabilizuese në rajon, drejtpërdrejt ose përmes grupeve aleate, si dhe sulmeve të tij të pajustifikuara dhe të përsëritura ndaj fqinjëve”.
“Evropa do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për ta shfrytëzuar këtë moment për një zgjidhje diplomatike afatgjatë. Po ashtu, për të kufizuar pasojat e këtij konflikti, veçanërisht mbi zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e energjisë”, shkroi von der Leyen.
Pas një bisede me liderët rajonalë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të shtunën se një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës që nisi më 28 shkurt dhe çoi në mbylljen de facto të Ngushticës së Hormuzit ishte “kryesisht e negociuar” dhe priste vetëm finalizimin.




















