Mbetjet organike të krijuara nga humbja dhe shpërdorimi i ushqimit po i nxisin emetimet e gazrave serrë dhe po e përshpejtojnë ngrohjen globale, thanë ekspertët, duke bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim në shkallë globale.
Duke folur për Anadolu në Forumin Zero Mbetje 2026, Ana Catalina Suarez Pena, drejtore e lartë për strategji dhe inovacion në Global FoodBanking Network, vlerësoi rolin e bankave ushqimore dhe çështjen e mbetjeve ushqimore.
Ajo theksoi se rreth 20 për qind e emetimeve globale të metanit vijnë nga mbetjet organike, ndërsa afërsisht 77 për qind e këtyre mbetjeve janë mbetje ushqimore.
“Në të njëjtën kohë, 2,5 miliardë njerëz në mbarë botën përballen me pasiguri ushqimore. Kemi një paradoks: nga njëra anë po humbasim dhe shpërdorojmë ushqim, ndërsa nga ana tjetër njerëzit përballen me uri dhe pasiguri ushqimore. Ajo që bëjnë bankat ushqimore është t’i lidhin këto dy çështje”, tha ajo.
Suarez theksoi se pasiguria ushqimore, toka, bujqësia dhe sistemet ushqimore kanë marrë gjithnjë e më shumë rëndësi dhe janë përfshirë në çdo agjendë të COP-it që nga COP28.
“Njerëzit ndonjëherë pyesin pse flasim për sistemet ushqimore kur flasim për klimën. Flasim për sistemet ushqimore sepse stabiliteti ushqimor është gjithmonë në rrezik.
Kur përballemi me një fatkeqësi të lidhur me klimën, përmbytje, reshje ekstreme, zjarre, bëhet gjithnjë e më e qartë se si ndikohet stabiliteti ushqimor. Ndryshojnë të korrat, rritet kostoja e plehrave kimike. Prandaj, duhet të flasim për mënyrën se si prodhojmë ushqim dhe se si do të ushqehen njerëzit në kushtet në të cilat po jetojmë”, tha ajo.
Suarez tha se mënyrat për ta parandaluar shpërdorimin e ushqimit do të trajtohen në COP31 në kuadër të paketës zero mbetje.
“Hapi më i rëndësishëm që duhet të ndërmarrim është parandalimi i humbjes dhe shpërdorimit të ushqimit që në fillim, sepse mbetja më e mirë është ajo që nuk krijohet kurrë. Pritshmëria jonë nga COP31 është që agjenda për mbetjet të zërë një vend shumë të rëndësishëm. Ajo që po e diskutojmë me presidencën e COP31 është që kjo çështje të bëhet pjesë e negociatave, të ketë stimuj dhe një agjendë të qartë për ta reduktuar humbjen dhe shpërdorimin e ushqimit”, tha ajo.
“Parandalimi i shpërdorimit të ushqimit është mënyra më e mirë për ta ftohur planetin”
Suarez theksoi se kur një bankë ushqimore parandalon shpërdorimin ose humbjen e 1 ton ushqimi, ajo parandalon gjithashtu krijimin e 2,6 tonëve emetime CO₂.
Ajo tha se një nga mesazhet kryesore që duhet të përcillet nga Forumi Zero Mbetje drejt COP31 është se reduktimi i mbetjeve organike është mënyra më e shpejtë për t'i përmbushur angazhimet klimatike, ndërsa vënia e ushqimit në dispozicion të njerëzve në nevojë është mënyra më e shpejtë për ta përmirësuar sigurinë ushqimore.
Duke theksuar se zgjidhjet për pasigurinë ushqimore dhe për shpërdorimin e 30 për qind të gjithë ushqimit të prodhuar tashmë ekzistojnë në terren, ajo tha se shumë zgjidhje janë duke u zbatuar aktualisht.
“Ajo që na duhet është të sigurohemi që po promovojmë, mbështesim dhe zgjerojmë ato zgjidhje që tashmë funksionojnë. Ky është angazhimi ynë. Parandalimi i humbjes dhe shpërdorimit të ushqimit është mënyra më e mirë për të ftohur planetin dhe mënyra më e mirë për të ushqyer njerëzit. Duhet të sigurohemi që të gjithë po punojnë aktivisht për ta zgjidhur këtë problem, sepse ky paradoks është problem i të gjithëve”, tha ajo.
“Türkiye po e kthen shpërdorimin e ushqimit në prioritet, një hap shumë i fuqishëm”
Michael Oko, nënkryetar për komunikim dhe marketing në Global FoodBanking Network, tha se parandalimi i shpërdorimit të ushqimit parandalon gjithashtu çlirimin e metanit, një gaz i fuqishëm serrë.
“Nëse arrijmë ta çojmë ushqimin te njerëzit në vend që ta shpërdorojmë, ose ta ridrejtojmë drejt zgjidhjeve të tjera si kompostimi, mund t'i reduktojmë ndjeshëm emetimet që po e ngrohin planetin”, tha ai.
Oko theksoi se mbetjet ushqimore përbëjnë rreth 8 deri në 10 për qind të të gjitha emetimeve, duke përfaqësuar një pjesë të konsiderueshme të totalit, dhe se reduktimi i tyre ofron një mundësi të rëndësishme për uljen e emetimeve.
Ai shtoi se vetëm rreth 4 për qind e financimit global për klimën drejtohet aktualisht drejt sistemeve ushqimore, duke e cilësuar këtë si një mospërputhje të qartë.
Oko vuri në dukje rritjen e vëmendjes ndaj mbetjeve ushqimore dhe sistemeve ushqimore në forumet ndërkombëtare, duke theksuar se Global FoodBanking Network ka punuar prej disa vitesh në konferencat klimatike dhe se tashmë po krijohet një momentum i ri.
“Türkiye po sjell një lidership të rëndësishëm në këtë fushë. Ne shohim se mbetjet ushqimore duhet të jenë vërtet në krye të agjendës këtë vit. Është shumë e rëndësishme që Türkiye po e bën këtë një nga prioritetet kryesore. Në botë ka shumë zgjidhje, përfshirë bankat ushqimore, që mund të adresojnë njëkohësisht sigurinë ushqimore dhe klimën. Nuk na duhen vetëm fjalë, na duhet veprim dhe zbatim, dhe kjo është ajo që shpresojmë të shohim në COP këtë vit”, përfundoi ai.


















