Parlamenti grek miratoi një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, raportoi gazeta Tovima.
Ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe do t'u ndalojë fëmijëve nën 15-vjeç qasjen në platformat kryesore të rrjeteve sociale, përfshirë Instagram, Facebook dhe TikTok, ndërsa lista mund të zgjerohet me platforma të tjera.
Masa nuk e ndalon përdorimin e internetit në përgjithësi nga fëmijët, të cilët do të mund të vazhdojnë të kenë qasje në burime edukative dhe shërbime të komunikimit digjital.
Sipas raportimeve, platformat do të jenë përgjegjëse për verifikimin e moshës së përdoruesve përmes një sistemi që përdor një token digjital për të konfirmuar nëse ata plotësojnë kriterin e moshës, pa zbuluar identitetin e tyre.
Ligji u miratua me mbështetjen e vetme të partisë qeverisëse të qendrës së djathtë, Demokracia e Re, ndërsa partia kryesore opozitare PASOK abstenoi dhe partitë e tjera opozitare votuan kundër.




















