Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan deklaroi të premten se rrugëtimi 25-vjeçar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) ka sjellë një “transformim historik” në Türkiye, duke theksuar arritjet e saj në demokraci, infrastrukturë, mbrojtje, teknologji dhe politikë të jashtme.
Në një artikull me rastin e 25-vjetorit të partisë, Erdoğani tha se AK Partia u themelua më 14 gusht 2001, me synimin për të riformësuar të ardhmen e Türkiyes, për të forcuar lidhjen mes shtetit dhe qytetarëve dhe për të garantuar që vendi të mund të merrte vetë vendimet e tij.
“Asgjë nuk do të jetë më si më parë në Türkiye”, kujtoi Erdoğani se kishte thënë kur u themelua partia, duke shtuar se burimi më i madh i besimit të saj ishte vullneti i popullit.
Ai tha se partia u shfaq si një “shpresë e përbashkët” për miliona njerëz që përballeshin me kufizime të të drejtave të tyre, mbanin barrën e krizave dhe kërkonin një të ardhme më të begatë për fëmijët e tyre.
“Kur shohim pas sot, shohim se çerekshekulli i AK Partisë përkon me një transformim historik për Türkiyen”, tha Erdoğani.
Ai deklaroi se legjitimiteti demokratik ishte forcuar, kapaciteti i shtetit për të ofruar shërbime publike ishte përmirësuar dhe pjesëmarrja në jetën publike ishte zgjeruar.
Duke iu referuar tentativës për grusht shteti të 15 korrikut 2016 si një prej “sprovave më të rënda” të legjitimitetit demokratik, Erdoğani tha se populli turk kishte treguar se asnjë fuqi jashtë kutive të votimit nuk mund të përcaktonte të ardhmen e vendit.
“Ky qëndrim i vendosur ishte një pikë kthese historike në lënien pas të epokës së tutelës, forcimin e politikës civile dhe konsolidimin e demokracisë sonë”, tha ai.
Investimet, industria e mbrojtjes dhe teknologjia
Erdoğani vuri në pah investimet në arsim, shëndetësi, transport, energji, politika sociale dhe zhvillim urban, duke thënë se shërbimet publike ishin zgjeruar në të gjithë vendin dhe se pjesëmarrja ekonomike dhe sociale ishte forcuar.
Ai gjithashtu theksoi përparimet në industrinë e mbrojtjes dhe teknologjinë e avancuar, duke thënë se Türkiye kishte reduktuar ndjeshëm varësinë nga furnizuesit e huaj në fusha strategjike.
Ai përmendi mjetet ajrore pa pilot, avionin luftarak KAAN të zhvilluar në vend, anijet luftarake dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, si dhe automjetin elektrik TOGG, programin hapësinor të vendit, investimet në energjinë bërthamore dhe zbulimet e gazit natyror në Detin e Zi, si simbole të “besimit të ri” të Türkiyes.
“Në vazhdim, këtë përvojë të grumbulluar do ta shndërrojmë në një hov të ri në inteligjencën artificiale, gjysmëpërçuesit, teknologjitë energjetike dhe prodhimin me vlerë të lartë të shtuar”, tha ai.
“Bota është më e madhe se pesë”
Erdoğani tha se Türkiye ishte shndërruar në një aktor me ndikim në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më shumë multipolar, duke ndjekur një politikë të jashtme shumëdimensionale, të bazuar në interesat kombëtare, diplomaci, dialog dhe përgjegjësi humanitare.
Ai tha se Türkiye kishte forcuar lidhjet e saj me botën turke dhe islame, ndërsa kishte mbrojtur të drejtat e të shtypurve në platformat ndërkombëtare.
Ai e përshkroi Türkiyen si një aleate të fuqishme të NATO-s, anëtare aktive të G20-ës, anëtare udhëheqëse të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe një aktor kyç në arkitekturën e sigurisë së Evropës.
“Nga Deti i Zi në Lindjen e Mesme, nga Kaukazi në Afrikë, ne po kontribuojmë për paqen dhe stabilitetin në një hapësirë të gjerë gjeografike”, tha ai.
Erdoğan përsëriti gjithashtu thirrjen e tij se “bota është më e madhe se pesë”, duke kërkuar përfaqësim dhe llogaridhënie më të madhe në institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sfidat dhe rindërtimi pas tërmeteve
Erdoğani tha se gjatë rrugëtimit të saj 25-vjeçar, partia ishte përballur me sfida të shumta, përfshirë sulmet terroriste, luftërat rajonale, migracionin e parregullt, pandeminë COVID-19 dhe luhatjet ekonomike.
Duke iu referuar tërmeteve të 6 shkurtit 2023, ai tha se fatkeqësia preku 11 provinca dhe miliona qytetarë, duke shkaktuar “plagë të thella” në të gjithë vendin.
Ai tha se qeveria kishte mobilizuar që në fillim të gjitha burimet shtetërore dhe kishte bërë përparim të konsiderueshëm në rindërtimin e qyteteve të prekura, përfshirë ndërtimin e banesave, infrastrukturën e prodhimit, shërbimet sociale dhe ruajtjen e trashëgimisë historike.
“Rimëkëmbja është përgjegjësia jonë”
Erdoğani tha se forca e AK Paetisë gjatë 25 viteve kishte ardhur nga “lidhja e zemrave” me popullin turk, por shtoi se kjo përvojë sillte gjithashtu përgjegjësinë për t’u rinovuar vazhdimisht.
Ai tha se partia duhet të vlerësojë hapur pritshmëritë në ndryshim të publikut, kërkimin e të rinjve për një të ardhme, ndikimin e vështirësive ekonomike në jetën e përditshme dhe praktikat politike të vendit.
Ai u zotua se do të vazhdonte luftën kundër inflacionit, duke zgjeruar njëkohësisht prodhimin, investimet dhe punësimin.
“Do të punojmë për një Türkiye ku puna e palodhur shpërblehet, mirëqenia shpërndahet në të gjitha shtresat e shoqërisë dhe të rinjtë tanë kanë qasje më të drejtë në mundësi, nga arsimi dhe punësimi deri te sipërmarrja dhe strehimi”, tha ai.
Ai e përshkroi “Shekullin e Türkiyes” si vizionin e përbashkët të vendit për shekullin e dytë të Republikës.
“Shekulli i Türkiyes është emri i vendosmërisë sonë të përbashkët për të ardhmen e shekullit të dytë të Republikës sonë. Ne përfytyrojmë një Türkiye me demokraci të fortë, ekonomi prodhuese, rol udhëheqës në teknologji, politikë të jashtme me ndikim dhe solidaritet të fuqishëm shoqëror”, tha ai.
“25-vjetori i AK Partisë është një prag historik, në të cilin vlerësojmë përvojën e së kaluarës dhe përcaktojmë udhërrëfyesin për epokën e re”, tha Erdoğani, duke shtuar se partia do të vazhdojë rrugëtimin e saj me të njëjtën vendosmëri, duke mbajtur gjallë agjendën e reformave dhe duke u fokusuar te mundësitë e së ardhmes.






















