| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shkup, transportuesit protestojnë para BE-së, kërkojnë zgjidhje për rregullin 90/180
Transportuesit reagojnë ndaj zbatimit të rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, krijon probleme serioze për shoferët profesionistë që udhëtojnë dhe punojnë shpesh në vendet e zonës Shengen.
Shkup, transportuesit protestojnë para BE-së, kërkojnë zgjidhje për rregullin 90/180
Shkup, transportuesit protestojnë para BE-së, kërkojnë zgjidhje për rregullin 90/180. / AA

Transportuesit e mallrave sot zhvilluan një protestë paralajmëruese para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemin e qëndrimit të kufizuar të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Në protestë u parkuan rreth 20 automjete të transportit të mallrave. Transportuesit reagojnë ndaj zbatimit të rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, krijon probleme serioze për shoferët profesionistë që udhëtojnë dhe punojnë shpesh në vendet e zonës Shengen.

Protesta zhvillohet në prag të takimit të nesërm të grupit të punës në Bruksel. Protesta të njëkohshme po zhvillohen edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Sekretarja e përgjithshme e “MAKAM-TRANS”, Biljana Muratovska, tha se pavarësisht se Bashkimi Evropian në janar pranoi se shoferët profesionistë ushtrojnë veprimtari, prej shtatë muajsh nuk ka zgjidhje konkrete për problemin.

Ajo vlerësoi se ndalimi i gjatë i shoferëve gjatë kontrollit të ditëve të qëndrimit përbën “diskriminim të tmerrshëm dhe shkelje të të drejtave të njeriut”.

Ministria e Transportit thekson se po bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për t'i ndihmuar transportuesit dhe për tejkalimin e problemit me qëndrimin e kufizuar të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Në këtë drejtim, Ministria po punon për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe me vendet e zonës Shengen, me qëllim që t’u mundësohet funksionimi i papenguar kompanive maqedonase të transportit dhe shoferëve të tyre.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë