Me rastin e shënimit të 14 prillit, Ditës memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nënkryetarin e Kuvendit, Ardian Gola, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë kanë bërë homazhe te memoriali "Heroinat", në Prishtinë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.
"Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës është i angazhuar dhe i përkushtuar që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton", thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Sipas deklaratave të udhëheqësve të institucioneve të larta, në Kosovë janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Në vitin 2017, është themeluar Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, ku deri më tani rreth 900 personave u është njohur ky status.



















