Evropa po planifikon një strategji rezervë për t’u siguruar që mund të mbrohet duke përdorur kornizën ushtarake aktuale të NATO-s nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhiqen nga Aleanca.
Sipas një raporti nga gazeta “The Wall Street Journal” (WSJ), ideja e quajtur ndonjëherë “NATO-ja evropiane” ka marrë hov pasi Gjermania, e cila për një kohë të gjatë ishte kundër një qasjeje më të pavarur, sinjalizoi mbështetjen e saj nën udhëheqjen e Kancelarit Friedrich Merz.
WSJ-ja raporton se zyrtarët e përfshirë synojnë të vendosin më shumë evropianë në role komanduese kyçe brenda Aleancës dhe të zëvendësojnë gradualisht kapacitetet ushtarake amerikane me burimet e tyre.
Këto diskutime, që po zhvillohen në mënyrë joformale rreth takimeve të NATO-s dhe në mbledhje private, nuk synojnë “të rivalizojnë Aleancën aktuale”, por ta forcojnë atë.
Zyrtarët evropianë po planifikojnë të ruajnë forcën parandaluese ndaj Rusisë, vazhdimësinë operative dhe besueshmërinë bërthamore edhe nëse ShBA-ja tërheq trupat e saj nga Evropa ose refuzon të vijë në mbrojtje të “kontinentit të vjetër”.
Planet, të konceptuara fillimisht vitin e kaluar, pasqyrojnë shqetësimet në rritje të Evropës për besueshmërinë e mbështetjes amerikane. Ato u bënë më urgjente pasi Presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi idenë për të marrë Groenlandën nga Danimarka dhe mes tensioneve për hezitimin e Evropës për të mbështetur veprimet ushtarake amerikane në Iran.
“Një faktor kyç i këtij ndryshimi është qëndrimi në ndryshim i Gjermanisë”, thuhet në raportimin në fjalë. Për vite me radhë, Berlini ka kundërshtuar propozimet franceze për një autonomi mbrojtëse evropiane më të madhe, duke u mbështetur në garancitë e sigurisë nga ShBA-ja.
Megjithatë, nën drejtimin e Kancelarit Merz, Gjermania po e rishqyrton këtë qëndrim për shkak të dyshimeve mbi besueshmërinë afatgjatë të Amerikës si aleate.

















