Raport: Finlanda shënon rritje rekord të krimeve të urrejtjes të raportuara
Numri i krimeve të urrejtjes të raportuara është rritur në mënyrë të qëndrueshme çdo vit që nga viti 2020, sipas Kolegjit Universitar të Policisë së Finlandës.
Finlanda ka regjistruar një numër rekord të krimeve të urrejtjes deri më tani në vitin 2025, me gati 70 për qind të raportimeve të ndërlidhura me prejardhjen etnike ose kombëtare të viktimave, raportuan të hënën mediat lokale.
Sipas transmetuesit publik Yle, duke iu referuar një raporti nga Kolegji Universitar i Policisë së vendit, numri i krimeve të urrejtjes të raportuara në Finlandë është rritur në mënyrë të qëndrueshme çdo vit që nga viti 2020. Rastet e dyshuara kanë të bëjnë kryesisht me fyerje verbale, kërcënime dhe ngacmime.
Të dhënat tregojnë se këtë vit numri i rasteve të dyshuara të krimeve të urrejtjes ka arritur nivelin më të lartë ndonjëherë në vend, pasi policia ka regjistruar gjithsej 1.808 raste të dyshuara, një rritje prej 13 për qind krahasuar me vitin 2023.
Raporti thekson se motivet pas këtyre krimeve ishin kryesisht me natyrë raciste, duke shtuar se gati 70 për qind e raportimeve kishin si motiv prejardhjen etnike ose kombëtare të viktimave.
“Kodi Penal i Finlandës nuk përfshin kategori të veçanta për ‘krime urrejtjeje’ ose ‘gjuhë urrejtjeje’, por motivi i urrejtjes është bazë për ashpërsimin e dënimit. Prandaj, çdo vepër që përcaktohet me ligj si krim mund të klasifikohet si krim urrejtjeje”, thuhet në deklaratën e Kolegjit Universitar të Policisë.
Sipas studiueses Jenita Rauta nga i njëjti institut, ndër krimet e raportuara vitin e kaluar përfshiheshin edhe ato ndaj personave me aftësi të kufizuara, komunitetit LGBTQ+ dhe besimeve të ndryshme fetare.
“Ky trend është shqetësues. Në mendimin tim, rritja e krimeve të urrejtjes ndaj personave me aftësi të kufizuara reflekton, për shembull, një polarizim më të gjerë shoqëror, në të cilin shënjestrohen personat në pozita më të cenueshme”, tha Rauta.
Sipas raportit, grupi më i shënjestruar ishin sirianët që jetojnë në Finlandë, ndërsa viktimat më të zakonshme ishin myslimanët, me shumicën e rasteve të dyshuara që ndodhën në internet.