Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm.
Kurti nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale, tha se aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës “por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit”.
“Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, theksoi Kurti.
Ai tha se gjithçka rreth kësaj gjykate filloi me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq më 15 prill 2008, por “ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026”.
“Asgjë prej pretendimeve e akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat është arsyetuar ngritja e Dhomave të Specializuara, duke nisur prej 'Shtëpisë së Verdhë' e trafikimit të organeve, nuk ka mundur të ngritej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave”, tha Kurti.
Kurti konsideroi se aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin më të rëndë që ka mbetur në aktakuzë: se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile.
“Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel”, theksoi Kurti.
Tutje, Kurti tha se pretendimet e Prokurorisë dhe aktgjykimi duhet të shihen në kontekstin e luftës së Kosovës, duke theksuar se UÇK-ja, sipas tij, ishte përgjigje ndaj dekadave të shtypjes, dëbimeve dhe dhunës ndaj shqiptarëve. Ai përmendi edhe dëshmitë e personaliteteve ndërkombëtare në proces, të cilat, sipas tij, kundërshtuan disa nga pretendimet e Prokurorisë lidhur me karakterin dhe strukturën e UÇK-së.
Sipas tij, aktgjykimi nuk duhet të shndërrohet në gjykim të luftës çlirimtare dhe UÇK-së, ndërsa shprehu shqetësimin se përqendrimi i përgjegjësisë penale vetëm te pjesëtarët e një pale të luftës krijon perceptimin e një drejtësie selektive.
Kurti tha se Kosova do të vazhdojë ta mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, duke theksuar se aktgjykimi nuk është përfundimtar.





















