| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha takon homologun danez: Bashkëpunimi rajonal thelbësor për integrimin evropian
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar se me homologun danez ka diskutuar mënyrat për t'i forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe për të hapur mundësi të reja për bashkëpunim.
Hoxha takon homologun danez: Bashkëpunimi rajonal thelbësor për integrimin evropian
Hoxha takon homologun danez: Bashkëpunimi rajonal thelbësor për integrimin evropian/ Foto: AA

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor për stabilitetin dhe integrimin evropian.

Ministri Hoxha është takuar në Luksemburg me ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen.

Në një reagim në rrjtete sociale, Hoxha ka theksuar se me homologun danez ka diskutuar mënyrat për t'i forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe dhe për të hapur mundësi të reja për bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjellë.

"Gjithashtu, shkëmbyem pikëpamje mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së, duke e riafirmuar rëndësinë e një procesi të besueshëm dhe të bazuar në meritë që forcon si vendet kandidate ashtu edhe vetë Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës për rrugën e pranimit të Shqipërisë në BE dhe për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit, si dhe për lidershipin e saj të fortë gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në vitin 2025", është shprehur Hoxha.

Kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se kanë diskutuar mbi dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe sipas tij kanë rënë dakord që "bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor për stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin evropian".

"I bëra një ftesë kolegut tim për ta vizituar #Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, gjithashtu për të festuar hapjen e Ambasadës Daneze në Tiranë, një moment historik që pasqyron forcën në rritje të partneritetit tonë dypalësh", ka theksuar Hoxha.

Ministri Hoxha gjithahshtu mori pjesë në një takim pune në Luksemburg me ministrat për çështjet evropiane të vendeve të Bashkimit Evropian, për të diskutuar bashkëpunimin në kuadër të nismës "Mburoja Demokratike (Democracy Shield).