Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Ankaraja po punon për të forcuar aleancat dhe për të zvogëluar mosmarrëveshjet si mes nesh, ashtu edhe në mbarë botën islame.
“Ne besojmë se ka mirësi në unitet, po punojmë për të forcuar aleancat dhe për të zvogëluar mosmarrëveshjet si mes nesh, ashtu edhe në mbarë botën islame”, tha Erdoğan në fjalimin e tij në programin e Javës së Lindjes së Profetit Muhamed në Istanbul.
Presidenti Erdoğan tha se shpreson që muslimanët, “të cilët formësuan historinë dhe sollën rend në botë për shekuj me radhë”, të ribashkohen “si tullat në një mur”.
Ai theksoi rëndësinë e unitetit mes muslimanëve, duke u bërë thirrje atyre të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar paqen dhe sigurinë në rajon.
“Po kalojmë nëpër një luftë historike mes së mirës dhe së keqes dhe dashtë Zoti e mira do të triumfojë”, shtoi Erdoğan.
“Ideologjia radikale, pushtuese dhe gjenocidale e njohur si sionizëm”, paralajmëroi Erdoğan, jo vetëm që kërcënon paqen e fqinjëve të saj, por gjithashtu vë në shënjestër këdo që mbron vlerat njerëzore.
Presidenti turk tha se bota po dështon t’u përgjigjet në mënyrë adekuate “politikave të paligjshme të rrjetit gjenocidal” izraelit, të cilat shpërfillin rregullat, parimet, vlerat dhe kufijtë.
Erdoğan gjithashtu tha se “qeveria e fiksuar pas luftës” e Izraelit po përdor provokime për të destabilizuar të gjithë rajonin, duke filluar nga fqinjët e tij.























