| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
SpaceX dërgon ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për një mision shkencor 8-mujor
Gjatë misionit, ekuipazhi do të kryejë një sërë eksperimentesh shkencore që e synojnë avancimin e kërkimit dhe teknologjisë për misionet drejt Hënës dhe Marsit.
SpaceX dërgon ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për një mision shkencor 8-mujor
SpaceX dërgon ekuipazh në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për një mision shkencor 8-mujor / AA
5 orë më parë

Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e SHBA-së (NASA) ka bërë të ditur se një raketë e SpaceX është lëshuar drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës për një mision shkencor 8-mujor.

Sipas NASA-s, Falcon 9, i lëshuar nga kompleksi në Florida të ShBA-së, transporton astronautët e NASA-s, Jessica Meir dhe Jack Hathaway, astronauten e Agjencisë Hapësinore Evropiane, Sophie Adenot, si dhe kozmonautin e Roscosmos Andrey Fedyaev.

“Kërkimet që ky ekuipazh do të zhvillojë në bordin e stacionit hapësinor avancojnë teknologji kritike për eksplorimin e hapësirës së thellë, duke sjellë njëkohësisht përfitime reale këtu në tokë”, tha administratori i NASA-s, Jared Isaacman.

Gjatë misionit, ekuipazhi do të kryejë një sërë eksperimentesh shkencore që synojnë avancimin e kërkimit dhe teknologjisë për misionet drejt Hënës dhe Marsit.

Anëtarët e ekuipazhit do të studiojnë bakteret që shkaktojnë pneumoni për të përmirësuar trajtimet kardiovaskulare, prodhimin sipas kërkesës të lëngjeve intravenoze për misionet e ardhshme hapësinore, si dhe mënyrën se si karakteristikat fizike mund të ndikojnë në qarkullimin e gjakut gjatë fluturimeve hapësinore.

Eksperimente të tjera përfshijnë monitorimin e automatizuar të shëndetit të bimëve dhe studimin e ndërveprimeve midis bimëve dhe mikrobeve që fiksojnë azotin, me synim përmirësimin e prodhimit të ushqimit në hapësirë.

Një anije e mëparshme SpaceX Dragon që transportonte shkencëtarët e ekuipazhit nga NASA, Roscosmos dhe Agjencia Japoneze e Eksplorimit Hapësinor u kthye në Tokë më 15 janar nga stacioni.

NASA bëri të ditur se kthimi i parakohshëm i ekuipazhit pasoi monitorimin e një shqetësimi mjekësor që përfshinte një anëtar, pa dhënë detaje të tjera.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë