| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Qeveria shqiptare miraton sistemin PERF për raportimin financiar të partive, KQZ-ja merr kontrollin
Është krijuar baza shtetërore e Platformës Elektronike të Raportimit Financiar, një sistem i ri digjital që synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore.
Qeveria shqiptare miraton sistemin PERF për raportimin financiar të partive, KQZ-ja merr kontrollin
Qeveria shqiptare miraton sistemin PERF për raportimin financiar të partive, KQZ-ja merr kontrollin / AA

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar krijimin e Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF), një sistem i ri shtetëror digjital që synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore.

Qeveria ia ka besuar administrimin e plotë të kësaj baze të dhënash Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili do të ketë akses të plotë funksional dhe administrativ.

Platforma PERF do të përfshijë një gamë të gjerë të dhënash financiare dhe administrative.

Sistemi do të jetë i ndarë në të dhëna parësore dhe dytësore. 

Të dhënat parësore do të mbledhin raportet financiare vjetore të partive politike, raportet e fushatave zgjedhore, burimet e financimit, shpenzimet, dhurimet monetare dhe në natyrë, huatë dhe kreditë, si dhe dokumentacionin shoqërues dhe raportet e auditimit. 

Ndërkohë, të dhënat dytësore do të sigurohen nga baza të tjera shtetërore, për qëllime identifikimi dhe verifikimi, përfshirë të dhëna nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile dhe sistemi “Tatimi elektronik”.

Ndërveprimi me institucionet si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve synon të sigurojë kontroll më të saktë të informacionit të deklaruar.

Vendimi parashikon që përpunimi i të dhënave personale të kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa të dhënat do të ruhen vetëm për aq kohë sa është e nevojshme dhe më pas do të fshihen ose anonimizohen.

Sistemi do të funksionojë me nivele të ndryshme aksesi, nga KQZ-ja me kontroll të plotë, deri te partitë politike, kandidatët, financierët dhe audituesit, me akses të kufizuar sipas rolit.

KQZ-ja do të jetë përgjegjëse për sigurinë e të dhënave nga ana teknike dhe organizative, si dhe çdo veprim në platformë do të regjistrohet për qëllime monitorimi dhe auditimi.

Zbatimi i vendimit do të realizohet nga KQZ-ja dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.

BURIMI:ATA