Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor i Shqipërisë, Ervin Demo, deklaroi se qeveria do të dalë së shpejti me një paketë mbështetëse për të gjithë ata që angazhohen në vijën e parë të përballimit të zjarreve gjatë sezonit veror.
Në përgjigje të pyetjeve lidhur me përgatitjet për sezonin e zjarreve dhe kapacitetet për ndërhyrje nga ajri, Demo tha se në disa bashki të vendit janë regjistruar tashmë rastet e para të zjarreve.
Demo theksoi se institucionet qendrore dhe vendore po punojnë për organizimin e strukturave përgjegjëse, ndërsa ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor do të ketë rol koordinues në menaxhimin e këtyre situatave.
“Jemi duke punuar për ta pasur gjithë organizimin e duhur për sezonin e zjarreve, përmes bashkëpunimit institucional në nivel qendror dhe lokal. Viti 2026 ka një përgatitje më të mirë logjistike në tërësi, si për kapacitetet lokale, ashtu edhe për ato qendrore”, u shpreh Demo.
Ministri Demo shtoi se qeveria do të miratojë një paketë mbështetëse për personat që janë të angazhuar në terren gjatë periudhës nga korriku deri në mes të shtatorit.
Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit që është brenda muajit korrik, deri në mes të muajit shtator. Do të merren hapat e duhur edhe me ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Mbrojtjes për ta garantuar motivimin e duhur të burimeve njerëzore”, tha Demo.
Sipas tij, strukturat e emergjencave civile, në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, kanë rritur kapacitetet për ndërhyrje nga ajri. Demo bëri të ditur se ministria e Mbrojtjes po punon për krijimin e një marrëdhënieje të qartë lidhur me përdorimin e kapaciteteve ajrore në rastet e emergjencave nga zjarret.
Demo apeloi për më shumë kujdes nga qytetarët gjatë periudhës së verës, duke theksuar se edhe incidentet e vogla mund të shkaktojnë dëme të mëdha dhe të kërkojnë angazhimin e burimeve të konsiderueshme njerëzore e logjistike.





















