Dhjetëra qytetarë vazhdojnë të protestojnë duke qëndruar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, aty ku ndodhet edhe pankarta e madhe me fotografitë e katër ish-krerëve të UÇK-së të cilët u dënuan sot nga Gjykata Speciale në Hagë.
Qytetarët me flamuj kombëtar dhe shtetëror vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Skenderbeu” për të shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katërshes ish-udhëheqëse të UÇK-së, por edhe duke kërkuar masa nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për shpërbërjen e kësaj gjykate.
Rrugëve të Prishtinës gjithashtu shumë automjete po shëtisin të mbuluar me flamuj dhe simbole të UÇK-së.
Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.






















