| Albanian
RAJONI
1 minuta leximi
Delegacioni i Policisë së Kosovës në Türkiye, marrëveshje për hapa të rinj në siguri
Palët vlerësuan lart bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informatave, zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjen në iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare.
Delegacioni i Policisë së Kosovës në Türkiye, marrëveshje për hapa të rinj në siguri
Delegacioni i Policisë së Kosovës në Türkiye, marrëveshje për hapa të rinj në siguri / AA

Në kuadër të një vizite zyrtare në Republikën e Türkiyes, Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, u prit nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare Turke, kolonel Mustafa Caliskan.

Siç bëhet e ditur në njoftimin zyrtar nga Policia e Kosovës, vizita u realizua në kuadër të një delegacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të kryesuar nga zëvendës drejtori i përgjithshëm.

Gjatë takimit u diskutuan çështjet e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet dy organizatave policore, me theks të veçantë në bashkërendimin e aktiviteteve bilaterale.

Palët vlerësuan lart bashkëpunimin ekzistues, duke theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informatave, zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfshirjen në iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, migrimit ilegal dhe terrorizmit.

Gjithashtu, u trajtuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve profesionale, përfshirë zhvillimin e burimeve njerëzore, avancimin e kapaciteteve teknike dhe teknologjike.

Të dyja palët u dakorduan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe intensifikimin e kontakteve në funksion të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë