Trump e quan "hap të rëndësishëm" propozimin e Iranit për armëpushim
Ai gjithashtu tha se, nëse do të ishte zgjedhja e tij, do të “merrte naftën” nga Irani.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, e përshkroi përgjigjen e Iranit ndaj propozimit amerikan për paqe si “hap të rëndësishëm”.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Trump lidhur me përgjigjen e Iranit.
Uashingtoni ka “shumë alternativa” dhe mund të largohet nga Irani “që tani”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se dëshiron t’i “japë fund” kësaj çështjeje.
Ai gjithashtu tha se, nëse do të ishte zgjedhja e tij, do të “merrte naftën” nga Irani, duke pretenduar se “nuk ka asgjë që ata mund të bëjnë për (ta ndalur) këtë”.
Irani e përcolli përgjigjen e tij ndaj një propozimi amerikan përmes Pakistanit pas dy javësh diskutimesh në nivele të larta, raportoi të hënën agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.
Kushtet e Teheranit përfshijnë një fund të përhershëm të luftës, duke refuzuar çdo armëpushim të përkohshëm, një ndalim të plotë të armiqësive në gjithë rajonin, protokolle për lundrim të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, ndihmë për rindërtim dhe heqjen e sanksioneve.
Sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që filluan më 28 shkurt kanë vrarë, sipas raportimeve, të paktën 1.340 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa duke synuar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.