Shërbimi Amerikan për Peshqit dhe Kafshët e Egra ka shfuqizuar të ashtuquajturën “rregullën gjithëpërfshirëse”, një politikë disa dekadëshe që u jepte shumë mbrojtje të njëjta specieve të rrezikuara edhe specieve të kërcënuara, përfshirë ndalimin e vrasjes, kapjes ose shqetësimit të tyre.
Rregullorja, e cila ishte në fuqi që nga viti 1975, u anulua si pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Donald Trump për të rishqyrtuar interpretimin e Ligjit për Speciet e Rrezikuara të vitit 1973, një veprim që kritikët thonë se mund të dobësojë mbrojtjen për bimët dhe kafshët e kërcënuara.
Agjencia nxori gjithashtu një rregull të veçantë që kërkon nga autoritetet rregullatore të marrin në konsideratë ndikimin ekonomik të përcaktimit të zonave si “habitate kritike” për speciet e kërcënuara dhe të rrezikuara. Më parë, këto konsiderata ekonomike ishin fakultative.
Departamenti i Brendshëm i ShBA-së tha se rregulloret e reja synojnë të “zbatojnë direktivat e presidentit Trump për të forcuar pavarësinë energjetike të Amerikës, për të përmirësuar parashikueshmërinë rregullatore dhe për të siguruar që veprimet federale të përputhen me interpretimin më të mirë të ligjit”.
“Për një kohë të gjatë, Ligji për Speciet e Rrezikuara është përdorur si armë për të ndaluar pothuajse çdo projekt të ri në Amerikë, duke rritur kostot për familjet, duke dobësuar konkurrueshmërinë tonë dhe duke dëmtuar sigurinë tonë kombëtare”, tha sekretari i brendshëm, Doug Burgum.
Organizatat mjedisore kritikuan ndryshimet, duke argumentuar se ato do të dobësojnë mbrojtjen për speciet e cenueshme.
Clay Samford, avokat në organizatën ligjore mjedisore Earthjustice, sipas The Washington Post, i quajti rregullat e reja “të dëmshme për kafshët e egra në rrezik dhe për tokat e egra”, duke argumentuar se ndryshimet u bënë “në favor të interesave të ngushta të biznesit”.
Samfordi tha se rregulli i ri do të kërkojë që zyrtarët të marrin parasysh shqetësimet e fermerëve dhe blegtorëve gjatë marrjes së vendimeve, duke rritur mundësinë që tokat e tyre të përjashtohen nga përcaktimet për habitatet kritike.
Organizatat mjedisore dhe grupe të tjera të jashtme zakonisht i drejtohen agjencisë me kërkesa për të shqyrtuar nëse një specie duhet të përfshihet në listën e specieve të mbrojtura sipas Ligjit për Speciet e Rrezikuara.
Sipas Shërbimit Amerikan për Peshqit dhe Kafshët e Egra, më shumë se 500 specie aktualisht janë në pritje të vlerësimit për mundësinë e përfshirjes si specie të kërcënuara ose të rrezikuara.
Samfordi paralajmëroi gjithashtu se reduktimi i stafit të agjencisë dhe kërkesat e reja për vlerësimin e mbrojtjeve rast pas rasti për secilën specie mund të rrisin numrin e shqyrtimeve të mbetura pezull.























