Sipas shërbimeve emergjente, një punëtor ndërtimi ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur rëndë pasi u zunë nga dheu në një kantier ndërtimi në lagjen Kisella Vodë të Shkupit.
Shefi i ndërrimit në Shërbimin e Urgjencës së Shkupit, Dragan Panov, tha për mediat lokale se të goditurit nga dheu janë të moshës rreth 35 deri në 45 vjeç, ndërsa hetimet do të përcaktojnë rrethanat e sakta të ngjarjes.
Viktima, tha Panov, sipas informacioneve të para është 34 vjeç. Ai po ashtu njoftoi se shërbimet emergjente kanë ndërhyrë me katër ambulanca.
Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se në orën 08:17 tek autoritetet është raportuar se në një kantier ndërtimi në rrugën "Kozjak" në Shkup tre punëtorë janë zënë nga dheu gjatë gërmimit të themeleve.
Nga atje thanë se dy prej tyre janë nxjerrë dhe janë transportuar me autoambulancë në spitalin "Nënë Tereza", ndërsa në koordinim me Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Brigadën e Zjarrfikësve po vazhdojnë përpjekjet për nxjerrjen e personit të tretë.
Autoritetet gjithashtu thanë se po zhvillohen hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.

















